Arbëri

Sot gjykimi ndaj serbit që torturoi shqiptarët, i shtyri të pinë raki dhe të këndojnë këngë serbe

Ndaj të akuzuarit për krime lufte, Nenad Arsiq, sot pritet të jepet aktgjykimi.

Departamenti i Posaçëm i Gjykatës Themelore të Prishtinës, sot do të mbajë seancën dhe pritet të marrë vendim për akuzat që rëndojnë mbi Arsiqin për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, ka njoftuar Radio Kontakt të enjten.

Arsiq, nga Çagllavica, është arrestuar në pikë-kalimin kufitar në Merdar më 22 tetor 2019.

Ai, sipas aktakuzës, më 1999 kishte kryer krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në lagjen Emshir në Prishtinë. Në aktakuzë thuhet se Arsiqi në cilësinë e përbërjes rezervë të policisë serbe ka shkelur rëndë të drejtën humanitare ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke u futur në shtëpinë e një familjeje dhe duke i shtyrë të pinë raki e të këndojnë këngë patriotike serbe.

Në aktakuzë thuhet se Arsiqi i kishte torturuar një kohë të gjatë dy anëtarë të familjes Shala, duke iu shkaktuar lëndime nga të cilat tash vuajnë pasojat.

“Qëndrimi i mbrojtjes është se Prokuroria nuk ka arritur të faktojë akuzën. Shpresoj në profesionalizmin e gjykatësve dhe shpresoj që sot do të jepet një aktgjykim lirues”, ka thënë ndër të tjera avokati i Arsiqit, Dejan Vasiq, përcjell Radio Kontakt.