Arbëri

MPJD-ja thotë se është bërë i rregullt rotacioni diplomatik

Descriptive Text

MPJD-ja ka njoftuar se është bërë i rregullt tanimë rotacioni diplomatik, dhe ka filluar kthimi i normalitetit të brendshëm ku janë ndërmarrë veprime konkrete sa i përket gradimit dhe rotacionit.

“Në funksion të fuqizimit të brendshëm për adresimin e nevojave për zhvillimin dhe profesionalizimin e shërbimit të jashtëm, 25 zyrtarë MPJD-së të cilët nuk kanë pasur gradë diplomatike dhe të cilët i kanë plotësuar kushtet e parapara me dispozitat ligjore janë rekomanduar për gradim nga Komisioni për Grada dhe Disiplinë”, thuhet nga MPJD-ja.

Po ashtu, ka vazhduar edhe rotacioni i rregullt, sipas konceptit ‘një në shërbim, një në ministri’ i filluar muaj më parë nga ministrja Meliza Haradinaj - Stublla.

Nga MPJD-ja është njoftuar se në kuadër të përfundimit të mandatit të rregullt në muajt në vijim do të kthehem për të shërbyer në këtë ministri rreth 20 diplomatë të cilët do të zëvendësohen nga 20 zyrtarë të MPJD-së të cilët do të shërbejnë në misionet diplomatike e konsullore të Kosovës.

“Këta zyrtarë kanë fituar përvojën adeukate në MPJD për të shërbyer me sukses në misionet diplomatike e konsullore, si dhe sjellin me vete një bagazh diplomatik e përvojë të rëndësishme nga misionet tona nëpër botë. Këto veprime pashmangshëm po kthejnë normalitetin e nevojshëm në MPJD”, thuhet nga MPJD.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi për shkeljet që e kanë shoqëruar procesin e rotacionit të diplomatëve. Kjo konfirmohet edhe me dokumentet e brendshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sa i përket rotacionit, ai përshkruhet si johuman pasi diplomatëve iu dërgohen vendime për riatdhesim apo konsultime paraprake me stafin civil menaxhues të MPJ-së. Brengosës konsiderohet fakti se vendimet për kthim lëshohen në periudhën kur nuk ka qeveri legjitime, aq më tepër kur në vend të diplomatëve dërgohen persona të panjohur për shërbimin e jashtëm, pa asnjë procedurë ligjore.