Arbëri

Studentët e komuniteteve joshumicë nuk i kanë plotësuar asnjëherë vendet e rezervuara në UP

Descriptive Text

Prishtinë, 16 dhjetor - Organizata joqeveritare “Admovere”, të mërkurën, ka shpalosur gjetjet e raportit “Përfshirja e studentëve të komuniteteve joshumicë në Universitetin e Prishtinës”, sipas të cilit gjatë dymbëdhjetë vjetëve të fundit, vendet e rezervuara për ata studentë nuk janë plotësuar asnjëherë.

Kuota për 12-përqindëshin e studentëve të komuniteteve joshumicë zbatohet nga Universiteti i Prishtinës që nga viti akademik 2004/2005, porse nuk ka pasur ndonjë strategji se sa dhe si duhet zbatuar deri në vitin 2016. Në dy vjetët e fundit, kuota është përfshirë në numrin e përgjithshëm të studentëve të pranuar dhe nuk është plotësuar. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek studentët shqiptarë, të cilët janë ankuar që vendet po mbesin të zbrazura.

“Ka mundur të ketë studentë që edhe e kanë kaluar pragun e kalueshmërisë, por që s’kanë arritur të regjistrohen. Fakultetet nuk kanë pasur të drejtë t’i plotësojnë vendet e zbrazëta”, ka thënë Aulonë Memeti, autore e raportit të prezantuar nga “Admovere”.

Sipas gjetjeve të këtij raporti, shumica e studentëve nga komunitetet joshumicë nuk vijojnë shkollimin universitar si pasojë e gjendjes financiare, ndërsa komuniteti serb për shkaqe politike.

Gjatë këtyre 12 vjetëve në UP janë rezervuar 5.372 vende në çdo fakultet për studentët e komuniteteve joshumicë, prej tyre janë regjistruar vetëm 990 studentë, ndërsa kanë diplomuar 237.

“Nëse vazhdon kjo kuotë të qëndrojë në numrin e përgjithshëm, kërkesa e dekanëve është që të lejohet plotësimi i këtyre vendeve me studentë shqiptarë”, ka thënë Memeti.

Pragu i kalueshmërisë është 8 për qind më i ulët për studentët e komuniteteve joshumicë, e bazuar në raportin e “Admovere” disa nga dekanët e fakulteteve janë pajtuar që pragu të jetë i ulët, ndërsa tre prej tyre kanë thënë që duhet të jetë i barabartë.

Fakulteti Ekonomik, Juridik dhe Filozofik janë fakultete që kanë pasur më së shumti vende të rezervuara për studentët e komuniteteve joshumicë, por as këtu nuk janë plotësuar krejtësisht ato vende. Fakultetet e UP-së nuk mbajnë të dhëna të veçuara për studentët e komuniteteve joshumicë, megjithatë interesimin më të madh këta studentë e kanë në Fakultetin e Mjekësisë, Filozofisë dhe atë Filologjisë.

Prej studentëve të komuniteteve joshumicë më së shumti të diplomuar ka pasur në Fakultetin e Filologjisë me 72,72 për qind të diplomuar. Kjo, meqë departamentet e këtij fakulteti ofrojnë mësime edhe në gjuhë të tjera përveç shqipes.

Në Fakultetin e Mjekësisë për këto vite të analizës janë plotësuar 50 për qind të vendeve të rezervuara nga studentët e komuniteteve joshumicë, ndërsa në fakultete ka mbërritur në afro 26 për qind.

Nga komuniteti turk për 12 vjet kanë diplomuar 190 studentë në Universitetin e Prishtinës, 92 nga komuniteti boshnjak, ndërsa komunitetet rom edhe egjiptian vetëm nga 9 studentë kanë diplomuar. Nga komuniteti serb vetëm një student është regjistruar në UP (Fakultetin e Arteve).

Mbi 900 studentë të komuniteteve joshumicë janë akomoduar në konvikte që nga paslufta.