13 perditesime
22:57

Deputetët e LDK-së kritikuan ish-Qeverinë Kurti, “harruan” që ishin pjesë e saj

Në seancën e së enjtes, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë akuzuar njëra-tjetrën për gjendjen në shëndetësi dhe në ekonomi. Madje deputetë të LDK-së, duke kritikuar Qeverinë Kurti, “harruan” se edhe ajo ishte pjesë e saj. Në këtë seancë ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, raportoi për dy lejet për hidrocentrale që ia dha kompanisë “Kelkos”. Deputetëve të AAK-së nuk u “pëlqeu” debati për hidrocentralet e as ai për emërimin e djalit të Haxhi Shalës konsull

Prishtinë, 10 dhjetor – Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka raportuar të enjten para ligjvënësve. Ai është ftuar nga deputetët e Vetëvendosjes për të raportuar për lejet e dhëna nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për dy hidrocentralet e kompanisë “Kelkos”. Ndonëse deputetët thanë se është shkelur ligji me lejet që i janë dhënë kësaj kompanie, ministri Kuçi tha se me atë bazë ligjore veprohet tash e 10 vjet dhe se nuk ka shkelje siç u pretendua. E deputetët, anëtarë të Komisionit që po e heton këtë proces, e kritikuan iniciuesen e seancës se e ka dëmtuar hetimin me thirrjen e kësaj interpelance.

Në këtë seancë pati polemika mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për gjendjen aktuale në shëndetësi e në ekonomi, për çka e akuzuan njëra- tjetrën.

Ndërsa në diskutimet e tjera, nga opozita kërkuan që të dihen procedurat se si u emërua djali i Haxhi Shalës, Flakron Shala, konsull në Pragë.

Avdyli e kritikoi ministrin Kuçi për lëshim të lejes mjedisore për operatorin që ishte duke u hetuar

Për dhënien e lejeve mjedisore, ujore dhe licencave 40-vjeçare për dy hidrocentrale të kompanisë “Kelkos” nga Ministria e Ambientit, ministri Blerim Kuçi, pavarësisht akuzave se është abuzuar me ligjin në fuqi, tha se procesi ka shkuar tërësisht në mënyrë ligjore.

“Me nenin 72 lejohet që t’u jepet operatorëve leje ujore përmes procedurës që nuk e përfshin koncesionin. Kryesisht pika 1.7 thotë përdorimi i ujërave me qëllim të shfrytëzimin të energjisë elektrike dhe gjeotermale. Me këtë nen deri tash e prej 10 vjetësh janë lëshuar të gjitha lejet që kanë të bëjnë me hidrocentralet”, ka thënë Kuçi.

Por, sipas deputetit të LDK-së, Haxhi Avdyli, në Ligjin për ujërat, neni 72 ka të bëjë me shfrytëzimin e ujërave për energji elektrike, konkretisht për termocentrale, dhe se për prodhimin e energjisë elektrike është neni 78 që thotë se shfrytëzimi i fuqisë së ujit për prodhim elektrik bëhet përmes koncesionit.

“Edhe pse Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e operimit dhe licencimit të hidrocentraleve ishte në vazhdën e hetimeve, ministri aktual, zoti Kuçi, në mënyrë arbitrare duke lëshuar leje mjedisore për një operator të cilin ne ishim duke e hetuar i dha shuplakë këtij Kuvendi”, ka deklaruar Avdyli.

Për thirrjen e kësaj interpelance, deputetja Mimoza Kusari u kritikua nga koleget e saj anëtare në Komisionin Hetimor për Hidrocentralet, të cilat thanë se deklarimet në këtë seancë ndikojnë në hetimet e Komisionit. Madje, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se iniciuesja nuk ka kredibilitet të thërrasë seancë të tillë për shkak të një aktakuze që i është ngritur në prill të këtij viti. E në replikën e saj, deputetja Kusari tha se nuk ka ligj që është shkelur me thirrjen e kësaj interpelance.

“Si deputete, të shkolluara jeni, besoj dini të lexoni, merreni ligjin dhe tregoni se cilin ligj jam duke e shkelur që e thërras një interpelancë për çështje të hidrocentraleve dhe për çfarë është ngritur aktakuza. Nëse doni mund të paraqiteni edhe si dëshmitare në Prokurori, sepse është një rast që nuk e ka asnjë dëshmitar. Janë 19 me aktakuza, asnjë dëshmitar”, ka theksuar Kusari. Ajo propozoi një rezolutë përmes së cilës kërkohet anulimi i vendimit të ZRRE-së për licencat afatgjata dhe për vendimet e Ministrisë së Ambientit për lejen ujore dhe mjedisore për kompaninë “Kelkos”. Por, për shkak të mungesës së kuorumit nuk arriti të vihet në votim.

Aliu: Mungesa e oksigjenit nuk mund të quhet ndryshe pos katastrofë shëndetësore

Në seancë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë përplasur për gjendjen në shëndetësi.

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, tha se qeverisja Hoti e ka sjellë vendin buzë katastrofës.

“Nuk e di si mund të duket ndryshe katastrofa shëndetësore përveçse spitalet nuk kanë oksigjen. Katastrofa që po e shohim fillet i ka diku tjetër, por datën e paraqitjes e ka para 6 muajve”, potencoi Aliu.

Por, për kolapsin në ekonomi e shëndetësi, Arben Gashi i LDK-së tha se ka faj Qeveria Kurti kur e izoloi vendin, ani pse në atë kohë përfaqësues të LDK-së, pjesë e Qeverisë, ishin pajtuar jo vetëm për mbyllje, por edhe për gjendje të jashtëzakonshme.

“Shëndetësinë të cilën e morëm nga ju kur e mbyllët vendin kur kishte vetëm dhjetëra raste e çuat vendin drejt kolapsit social ekonomik e shëndetësor. Nga mungesa e guximit për të marrë përgjegjësi e dorëzuat pushtetin e shtetin”, ka thënë Gashi.

Polemika pati edhe për emërimin e djalit të Haxhi Shalës konsull në Pragë. Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, kërkoi nga anëtarët e Qeverisë që t’i përgjigjen nëse emërimi i djalit të deputetit Haxhi Shala, Flakron Shala, për konsull në Pragë ka qenë pikë e marrëveshjes së koalicionit mes LDK-së, Nismës e AAK-së. Por, sipas zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Tahiri, në asnjë moment palët nuk kanë diskutuar për këtë çështje gjatë përpilimit të marrëveshjes së koalicionit.

“Aq shumë është i ngarkuar diskursi publik, saqë pa marrë parasysh përgatitjen po të hyjë në punë një fëmijë i politikanit edhe po të jetë më i miri nesër do të thonë se ka hy me të njofshëm. Rasti në fjalë ka përgatitje, por fatmirësisht apo fatkeqësisht ka qëlluar të jetë djali i Haxhi Shalës”, ka deklaruar ai.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka folur për shpenzimet e institucionit që ajo drejton, ku tha se për shkak të mosharxhimit në darka, mëditje e udhëtime zyrtare, Kuvendi ia ka kthyer Qeverisë rreth 1.5 milionë euro.

17:12

Partitë pro ndryshimeve në Ligjin për letërnjoftime, por s’ka deputetë për ta votuar

Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për letërnjoftimi ka bashkuar partitë politike në Kuvendin e Kosovës, por ai nuk është hedhur në votim për shkak se në seancën plenare nuk kanë qenë 61 deputetë të pranishëm.

E ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu në seancën e sotme plenare, ka thënë se ky projektligj rregullon kushtet dhe procedurat për lëshimin dhe përdorimin e letërnjoftimit nga shtetasit e Kosovës, ndërsa pro tij u shprehën të gjitha grupet parlamentare.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në këtë legjislaturë kanë shprehur mospajtime të tilla, sa rrallë herë janë bërë bashkë për të miratuar ligje.

Në mungesë të vendimmarrjes janë mbyllur punimet Kuvendit. Kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se seanca vazhdon të premten në orën 11:00 me pikat e mbetura.

17:07

Nuk ka kuorum për rezolutën për anulim të licencave për “Kelkosin”

Mungesa e kuorumit ka bërë që të mos dalë në votim rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje përmes së cilës kërkohej anulimi për dhënien e licencave afatgjate për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “Kelkos Energy” për hidrocentralet “Deçani” dhe “Belaja”.

Kjo parti pos kësaj kërkoi nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit edhe tërheqjen e lejeve mjedisore dhe ujore për “Kelkosin”.

16:21

Kuçi mohon të ketë qenë në dijeni për lëshimin e lejeve për Kelkosin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, e ka pyetur ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, se pse u është thënë shërbyesve civilë e profesionistë që nëse nuk i bëni shkresat e duhura për lejet e Kelkosit, Austria do t’ia tërheqë njohjen Kosovës.

“A mund të na tregoni këtë? Këtë e kemi informatë të saktë. Pse i keni frikësuar zyrtarët brenda ministrisë se nëse nuk i bëhet leja Kelkosit, Kosova do të dërgohet në arbitrazh?” – e ka pyetur Pacolli ministrin Kuçi në Kuvend.

E Kuçi ka thënë se as që e ka ditur se janë lëshuar këto leje.

“Unë as që e kam ditur që janë lëshuar këto leje. {farë i kam thënë zyrtarëve të mi është që të bëjnë çdo gjë brenda ligjit. Nëse i ka plotësuar kriteret lëshojini dhe nëse nuk i plotësojnë atëherë jo. Është e kundërta e asaj që po thoni. Normalisht që unë i përcjelli procedurat dhe zyrtarëve të mi ju kam thënë se ata duhet të zbatojnë vetëm ligjin”, ka thënë Kuçi.

15:46

Avdyli: Kuçi goditi Kuvendin kur vendosi t’i jep leje “Kelkosit”

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se edhe pse Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e operimit dhe licencimit të Hidrocentraleve ishte në vazhdën e hetimeve, ministri aktual Blerim Kuçi në mënyrë arbitrare ka lëshuar leje mjedisore për një operator.

Ai thotë se me këtë i dha shuplakë Kuvendit, deputetëve duke i dhënë leje mjedisore një operatori që është objekt i hetimeve për shkak të dyshimeve për degradimin e mjedisit.

“Pavarësisht nga ajo që po thotë ministri, ligji nuk është duke u respektuar. Një prej ligjeve që është duke u shkelur është ligji për ujërat sepse neni 72 ka të bëjë me shfrytëzimin e ujërave për energji elektrike që do të thotë për Termocentrale ndërsa për prodhimin e energjisë elektrike është neni 78 dhe decidivisht thotë për shfrytëzimin e fuqisë së ujit për prodhim elektrik ajo bëhet përmes koncesionit”, ka thënë Avdyli.

15:28

Kuçi sqaron pse hidrocentralet kanë operuar me leje ujore dhe jo me koncesion

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka sqaruar pse hidrocentralet kanë operuar me leje ujore dhe jo koncesion.

Ai ka thënë se me nenin 72 lejohet që t’u jepet operatorëve leje ujore përmes procedurës që nuk e përfshin koncesionin.

“Kryesisht, pika 1.7 thotë përdorimi i ujërave me qëllim të shfrytëzimin të energjisë elektrike dhe gjotermale. Me këtë nen deri tash e prej 10 vjetësh janë lëshuar të gjitha lejet që kanë të bëjnë me hidrocentralet. Pra është e lejuar me ligj, normalisht që operatorët duke i pasur parasysh tarifat nxitëse nuk kanë konkurruar me koncesion por e kanë përdorur këtë mundësi”, ka thënë ai.


Polemika mes deputetes Kusari-Lila dhe Haxhiut

Deputetja Teuta Haxhiu, ia ka përmendur deputetes së VV-së Mimoza Kusari-Lila aktakuzën sa ishte ministre e Tregtisë.

Ajo ka thënë se ajo duhet të jetë e pastër dhe e pakorruptuar që të flasë për të tjerët.

“Me 10 prill 2020 është ngritur një aktakuzë pikërisht për juve në kohën sa keni qenë ministre e Tregtisë, a është e vërtetë a jo? Pra, për katër hidrocentrale të falura. Nuk e di a është e vërtetë, por në prill në kohën e Qeverisë Kurti. Leni spektaklet, secili qytetar e dinë kush jemi. Unë do të doja të jem e pastër e e pakorruptuar për të folur kundër korrupsionit. E mu akuzu e me marrë guximin me dalë me fol në foltore të Kuvendit për mua nuk është e ndershme. Lejoni komisionin që të hetojë”, ka thënë ajo.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes Kusari-Lila. Ajo ka pyetur se cilin ligj e ka shkelur që e ka thirrur seancën.

“Si deputete të shkolluara jeni, besoj dini të lexoni, merreni ligjin dhe tregoni se cilin ligj jam duke e shkelur që e thërras një interpelancë për çështje të hidrocentraleve dhe për çfarë është ngritur aktakuza. Nëse doni mund të paraqiteni edhe si dëshmitare në Prokurori sepse është një rast që nuk e ka asnjë dëshmitar. Janë 19 me aktakuza asnjë dëshmitar. A ndërsa se për çfarë është ngritur aktakuza, atëherë duhet të ngritët edhe për të gjithë deputetët e legjislaturës së katërt që këtu kanë votuar të vazhdohet procesi i privatizimit. Lëvizja Vetëvendosje atë kohë e pati sjellë që të ndalet, ka dalë në seancë edhe është votuar që të vazhdohet. Nëse doni ta bëjmë gjyqin këtu e bëjmë, fare nuk e kam problem vetëm tregoni cilin ligj e kam shkelur që kam thirrur seancë”, ka thënë ajo.

15:12

LDK-PDK bëhen bashkë në kundërshtim të VV-së që thirri interpelancën për Kuçin

Deputetja Besa Gaxherri nga LDK dhe Blerta Deliu nga PDK kanë kundërshtuar mbajtjen e interpelancës për hidrocentralet pasi sipas tyre kjo do të ndikojë në punën e Komisionit Hetimor.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se nuk është dashur të lejohet mbajtja e interpelancës për hidrocentrale.

Për mbajtjen e saj, ajo ka thënë se në Kuvendin e Kosovës po thyhen rregullat dhe parimet, çdo ditë.

Ajo ka thënë se lëshimi i lejes mjedisore dhe licencimi nga ZRRE-ja është i papranueshëm me gjendjen mjedisore që është shkaktuar në atë hapësirë.

“Ne kërkojmë nga Institucionet tona të respektojnë ligjet, ne jemi këtu tu sigurojmë investitorëve siguri por kjo duhet të bëhet vetëm duke Nuk ekziston asnjë arsye ligjore e as etike që Institucionet tona në këtë rast Ministria e Ambientit dhe ZRRE-ja të lëshojnë leje, kur Komisioni Hetimor Parlamentar ende nuk e ka përfunduar hetimin rreth dyshimeve për këtë proces. Andaj me këtë rast LDK-ja kërkon nga Zyra Kombëtare e Auditorit që të auditojë të gjitha licencat që janë lëshuar që nga viti 2010 për hidrocentralet”, ka thënë ajo.

Edhe deputetja Eliza Hoxha ka thënë se kjo interpelancë nuk ka qenë e nevojshme në këtë kohë sepse interferon në punën e Kuvendit.

14:48

Kuçi për hidrocentralet: S'mund të stopojmë procesin, lejet u dhanë me të drejtë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, duke folur për dhënien e lejeve për operim me hidrocentrale për kompaninë “Kelkos Energy”, ka thënë se nuk mund të marrin vendime arbitrare duke stopuar procesin dhe duke cenuar një të drejtë që është e garantuar me ligj.

Ai ka thënë se edhe po të ketë të interesuar me koncesion, vendi nuk ka çfarë t’i jep dikujt me koncesion për ujërat.

“Kosova ka shumë probleme me mjedisin. Kur kam pranuar të udhëheqë me këtë ministri e kam ditur që do të përballem me këto probleme. Jam munduar që problemeve tu qasem nga fillimi dhe të mos marr vendime arbitrare. Një prej çështjeve më delikate është çështja e hidrocentraleve. Shumë nga investitorët i kemi joshur vetë që të futen në treg. Ky treg ka qenë dhe është mjaft tërheqës për shkak të tarifave. Kam marr disa vendime për të vendosur moratorium

Kuçi ka thënë se Hidrocentralet kanë bazë ligjore që mbështet në ligjin e ujërave, ku shfrytëzimi i ujërave bëhet në dy forma me akte ujore dhe me koncesion.

“Forma me koncesion është provuar më 2010 por nuk ka pasur të interesuar dhe më pas është vazhduar vetëm me akte ujore në bazë të ligjit për ujërat. Nuk ka vendosur kjo qeveri që të vazhdohet me akte ujore. Në gjithë këtë proces është një fakt që jo vetëm në fushën e mjedisit por në secilën fushë ku duhet pasur monitorim dhe inspektim të rregullt ne nuk i kemi”, ka thënë ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në shtator të 2020 kur OJQ-të e kanë njoftuar Ministrin Kuçi për dëmin që “Kelkos” i ka shkaktuar mjedisit dhe sipas saj, ai ka thënë se do të angazhohet për të gjetur zgjidhje dhe se ndihet i turpëruar për degradimin që u është bërë lumenjve në Deçan.

“Në një shkresë drejtuar ‘Kelkos’ Komisioni për leje mjedisore thekson se bazuar në letërkëmbimin zyrtar me autoritetin rajonal të pellgjeve lumore është cekur nuk janë përmbushur kushtet për leje ujore për shfrytëzim të ujit dhe natyrisht mungon leja e përdorimit. Por më 3 dhe 4 nëntor të këtij ministria e Kuçit ka pajisur ‘Kelkosin’ me leje ujore në kundërshti të qartë me ligjin për ujërat. Më 6 nëntor sekretari i MEA miratoi vendimin për lejet mjedisore për HC Belaja dhe HC Deçani dhe pajisjet përcjellëse. Më 12 nëntor ZRRE-ja pajisi ‘Kelkosin’ me licencë duke shkelur mes tjerat edhe parimin e proporcionalitetit ku mbi bazën e lejeve mjedisore, që vlejnë për 5 vite ka dhënë licenca për periudhën 40 vjeçare, përfundimisht ka cenuar ligjin për rregullatorin e energjisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka pyetur se a është rastësi që më 12 nëntor në të njëjtën ditë kur “Kelkosit” i është lëshuar leja nga ZRRE-ja, në të njëjtën ditë arrihet marrëveshja në Kishën e Deçanit për rrugën e që të dërgon te Hidrocentralet.

Ai ka thënë se Kuvendi e ka formuar një komision hetues për HC dhe sipas tij në atë komision përveç tij si ministër janë thirrur edhe zyrtarë të tjerë.

Ai thotë se lëshimi i lejeve është bërë me të drejtë.

“Po ashtu komisioni ka kërkuar raport për dhënien e lejeve. Krejt ky proces ka zgjatur 6 orë. Pra dy herë dhe jo vetëm unë si ministër para deputetëve kemi dhënë përgjigje para komisionit dhe zonjës Kusari Lila dhe të gjitha dokumentet i ka tashmë Komisioni Hetimor. Normalisht nuk i iki përgjegjësisë jam ministër por nuk e kam nënshkruar atë dokument por në bazë të argumenteve që mi kanë dhënë, disi jam bindur që për dy objekte për të cilat kanë lëshuar leje kanë pasur të drejtë. Për objektin tjetër për të cilin është bërë debat ne nuk kemi lëshuar asnjë leje, as ujore, as të përdorimit edhe pse procesi ka shumë kohë që është kryer. Sa i përket Energjisë ZRRE-ja është organ që i përgjigjet edhe Kuvendit dhe atë çështje të mos e përziejmë në këtë seancë”, ka thënë ai.

14:10

Nis seanca e Kuvendit, ministri Kuçi në interpelancë

Pas pauzës ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës. Seanca ishte paraparë të fillonte nga ora 13:30.

Në seancë pritet të nis interpelanca ndaj ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit, Blerim Kuçi, lidhur me lejet e lëshuara për operim me hidrocentrale në Deçan për kompaninë “Kelkos Energy”.

12:01

Tahiri për ish-konsullin Shala: Kishte përgatitje por ka qëlluar të jetë djali i Haxhi Shalës

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli kanë debatuar lidhur me punësimet partiake në vend.

Pacolli ka përmendur rastin e emërimit të Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, në postin e konsullit në Pragë. Ajo ka thënë se shërbimi i jashtëm është shfrytëzuar për pazare të partive politike. Ndërkaq në mbrojtje ish-konsullit Shala, i ka dalë Tahiri. Ai ka thënë se i njëjti ka pasur përgatitje profesionale porse sipas tij, fatmirësisht ose fatkeqësisht ka qëlluar të jetë djali i deputetit Haxhi Shala.

“Sa i përket rastit konkret unë e kuptoj që edhe opozita sikurse diskursi publik është shumë i ngarkuar, i hidhëruar me procesin e nepotizimit që po ndodhë tash e 20 vjet. Por mos të harrojmë se shumë fëmijë të politikanëve të cilët kanë aftësi profesionale janë të anatemuar kur flas për punësimet në sektorin publik. Aq shumë është i ngarkuar diskursi publik saqë pa marrë parasysh përgatitjen po të hyjë në punë një fëmijë i politikanit edhe po të jetë më i miri nesër do të thonë se ka hyrë me të njohshëm. Rasti në fjalë ka përgatitje por fatmirësisht apo fatkeqësisht ka qëlluar të jetë djali i Haxhi Shalës”, ka thënë ai.

Pacolli ka thënë se nuk janë të pakta rastet e shërbimit kur një votë e një deputeti është shkëmbyer me pozitë në shërbimin e jashtëm.

“Ministrja e Jashtme i ka rekomanduar presidentit të dekretojë djalin e Haxhi Shalës për konsull në Pragë. Më 28 tetor Thaçi e ka nënshkruar dekretin e rekomanduar nga ministrja. Shërbimi i jashtëm është shfrytëzuar për pazare të këtyre partive politike. Edhe emërimi i djalit të deputetit Haxhi Shala është pjesë e pazareve politike. A ka qenë pikë e marrëveshjes së koalicionit që të dërgohet djali i Haxhi Shalës për konsull. Pra a është diskutuar mes Nismës e LDK-së që të emërojnë këtë konsull dhe Nisma t’i jap votat për Qeverinë”, ka pyetur ajo.

Ndërkaq ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka shpjeguar procesin e emërimit të konsujve në shërbimet e jashtme.

“Secili emërim i konsujve edhe këtë vit si të gjitha vitet paraprake është propozuar në përputhje me dispozitat ligjore. Ligji në fuqi për shërbimin demokratik përcakton qartë procedurën e emërimit dhe është e drejtë ligjore e ministrit të jashtëm t’i rekomandojë presidentit për emërimin e konsujve të përgjithshëm. Legjislacioni i aplikueshëm e njeh mundësinë e emërimit të shefave të misionit përmes çelësit politik sipas kuotës jo më shumë se 50% . Ligji e njeh edhe misioni konsullor. Sipas praktikës së deritanishme në shërbimin jashtëm kanë shërbyer si shefa të misioneve konsullore po ashtu edhe njerëz me çelës politik. Në këtë kontekst shefat e misioneve hynë në kuadër të kuotës dhe të çelësit politik apo të atyre të karrierës”, ka thënë ajo.


Kuvendi shkon në pauzë

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 13:30.

Deri tash kanë përfunduar pyetjet parlamentare, kurse pauzës pritet të nis interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Pritet të diskutohet për lëshimin e lejeve 40-vjeçare për dy hidrocentralet e Deçanit për kompaninë “Kelkos Energy”.

11:40

Osmani: Ia kemi kthyer Qeverisë 1.5 milionë euro, ligji s’lejon të shpenzojmë për qejf

Kryetarja e Kuvendit dhe u.d. e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani duke folur për shpenzimet e Kuvendit ka thënë se në krahasim me çdo mandat paraprak kjo legjislaturë nuk ka shpenzuar fare për udhëtime dhe mëditje.

Ajo ka thënë se ia kanë kthyer Qeverisë 1.5 milionë euro, duke shtuar se ligji nuk ua lejon të shpenzojnë sipas qejfit.

Sipas saj, ligji obligon që nëse tepron buxhet ai i kthehet Qeverisë së Kosovës.

“Ekziston vetëm një vendim që nga shkurti e deri tani që ne e kemi miratuar në Kryesi dhe kemi kërkuar të fillojnë procedurat tenderuese, ai është lifti për personat me nevoja të veçanta. Asnjë shpenzim, e tender tjetër nuk e kemi kërkuar as miratuar. Dhe nëse i shikojmë raportet e shpenzimeve dhe do ta shihni që në minimum ka 10-15 fish më pak shpenzime. Askush nga kabineti im nuk shpenzon veturë. Ka shumëfish më pak shpenzime në dreka darka e mëditje, madje zero në mëditje”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nëse ka pretendime për keqtrajtim të punëtorëve nuk është keqtrajtim nga Kuvendi por nga Kompania sepse ajo i menaxhon punëtorët, duke paralajmëruar se si kryesi do t’i drejtohen kompanisë.

“Në këtë kryesi kemi kërkuar një sërë vlerësimesh e hetimesh të kontratave që kanë qenë në fuqi të mandateve paraprake. Në çdo mbledhje kam kërkuar që të ulen shpenzimet. Dhe në këtë vit ka ulje të shpenzimeve që nuk i keni parë në historinë e Kuvendit”, ka thënë ajo.

Osmani i është përgjigjur pyetjes së deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu. Ajo i ka quajtur investime koti, punimet që po ndodhin në aneksin e Kuvendit.

“Para dy viteve aneksi është ndërtuar dhe nuk e di pse pas dy vitesh u dashtë të bëhen renovime që unë nuk po i shoh. A është ndëshkuar kompania që i ka kryer punimet para dy vitesh kush jep llogari dhe pse këto shpenzime koti. Dhe një problem në vete janë shqetësimet që marr nga punëtorët që po i kryejnë punimet unë nuk e di cila është firma dhe nuk me intereson por kërkoj trajtim të dinjitetshëm”, ka thënë ajo.

11:09

VV-ja e LDK-ja përplasen në Kuvend për gjendjen e sistemit shëndetësor

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu dhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi janë përplasur për gjendjen në sistemin shëndetësor në vend.

Aliu e ka quajtur katastrofë shëndetësore mungesën e oksigjenit nëpër spitale.

Ai ka thënë se katastrofa e ka fillin te Qeveria e cila është duke udhëhequr me vendin.

“Nuk e di si mund të duket ndryshe katastrofa shëndetësore përveçse spitalet nuk kanë oksigjen. Katastrofa që po e shohim fillet i ka diku tjetër por datën e paraqitjes e ka para 6 muajve. Kjo Qeverisje në mungesë i bëri 6 muaj duke folur më shumë për karrigen e presidentit sesa për oksigjenin për të cilën po vuajnë qytetarët”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq Gashi i është përgjigjur se me mbylljen e vendit në kohën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, vendi ka shkuar drejtë kolapsit ekonomik e shëndetësor.

Ai ka thënë se në mungesë të guximit për të marrë përgjegjësi, VV-ja e dorëzoi shtetin e pushtetin.

“Ne sot po shohim vazhdën e përfaqësueseve të moralit të pavërtetës dhe gënjeshtrës në Kuvendin e Kosovës. Zotëri ne kemi një rezultat zgjedhor që është certifikuar dhe demokracia bazohet mbi rezultatin zgjedhor. Demokracia është sport pak më i rëndë sesa populizmi juaj i shpërfaqur në Kuvend, rrugë e në secilin autoritet ku ju pak keni pasur mundësi të udhëhiqni. Por po i shohim modelet e udhëheqjes tuaj në Prishtinë e Prizren, korrupsion e nepotizëm, ky është modeli juaj”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se për 15 ditë VV-ja arriti ta fut Kosovën në krizë institucionale e ndërkombëtare.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka thënë se për një qeveri të sëmurë për pushtet, numri i të infektuarve dhe të vdekurve është vetëm justifikim për t’i shtyrë zgjedhjet.

Sipas tij, suksesi më i madh i kësaj Qeverie është futja në zona të kuqe të dhjetëra komunave.

Uka ka thënë se numri i të vdekurve në ditë është i barabartë me numrin e të infektuarve që ishte dikur, duke shtuar se masat janë të njëjta për javë të tëra.

“Kjo është mënyra se si e lajnë ndërgjegjen këta. Aq keq është situata sa që oksigjeni është bërë luks për spitalet rajonale. Numrat janë direkt rezultat i masave të kota dhe mungesës së veprimeve konkrete. Me pazotësinë tuaj e keni sëmurë shëndetësinë e keni rrënuar ekonominë, dhe nuk e di se çfarë tjetër iu ka mbetur para se të shkoni në shtëpi. Por masa më e mirë që mund të merrni kundër COVID-19 është padyshim dorëheqja juaj”, ka thënë ai.

10:58

Nis seanca e Kuvendit

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës. Në rend dite sot janë 17 pika.

Pika 3 e rendit të ditës do të jetë interpelanca e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë deputetë të tjerë, në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS Energy” për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.

08:14

Seancë me 17 pika, përfshirë interpelancën e ministrit Kuçi për licencat lidhur me hidrocentralet

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare dhe në rend të ditës do të jenë 17 pika.

Pika 3 e rendit të ditës do të jetë interpelanca e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë deputetë të tjerë, në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS Energy” për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.

Seanca pritet të fillojë në orën 10.00.

Rendi i ditës komplet:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë (9) deputetë tjerë, në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS Energy” për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-015 për letërnjoftim,

5. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj,

6. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë,

7. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë,

8. Shqyrtimi i Statutit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan,

9. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019,

10. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019,

11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2018,

12. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2019,

13. Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019,

14. Debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës sensibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë,

15. Emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT,

16. Zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,

17. Zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë.