Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana ka refuzuar heqjen e titullit “Qytetar Nderi” për Veton Surroin. Lajmi është konfirmuar nga vetë Kuçana nga Euronews Albania.
Pasditen e 27 nëntorit Këshilli i Qarkut Kukës vendosi që t’i hiqte titullin “Nder i Qarkut” publicistit të njohur të Kosovës, Veton Surroi.
Sipas këshillit vendimi u mor, pasi z.Surroi ka sulmuar luftën e drejtë të UÇK-së.
Ky vendim solli reagime të shumta nga palët politike, por jo vetëm. Kryeministri Edi Rama ishte i pari që reagoi dhe këtë vendim e quajti lajthitje kolektive dhe i kërkoi Prefektit të Qarkut Kukës të mos e firmosë një vendim të tillë.
Nuk mungoi edhe një reagim nga kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, i cili në një postim në Facebook kërkoi falje dhe këtë vendim e cilësoi si “të nxituar”.
Pas polemikave të krijuara, Euronews Albania ishtë e para që mori një prononcim të vetë z.Surroit për këtë vendim të Këshillit të Qarkut Kukës. Ky i fundit tha se e gjitha është një gjykim politik, që bazohet në emocion dhe jo në prova.
Veton Surroi u shpall “Qytetar Nderi” i Kukësit në vitin 2015 me propozim të klubit letrat “Anton Pashko” për kontribut të veçantë në fushën e medias dhe politike gjatë krizës së luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ai është një nga intelektualët më të shquar të Kosovës. 59-vjeçari është publicist, politikan dhe ish-gazetar dhe ka qenë përfaqësues i Kosovës në bisedimet për Marrëveshjen e Rambujesë.
Surroi në vitin 2011 ka marrë çmimin SEEMO për të drejtat e njeriut.