Arbëri

ORCA: Universiteti i Gjakovës, i dyti për integritet akademik

Descriptive Text

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ORCA ka prezantuar raportin “Integriteti akademik, publikimi shkencor dhe justifikimi i titujve akademikë në Universitetin e Gjakovës”.

Rron Gjinovci ka theksuar se nga hulumtimi për 26 profesorë të këtij universiteti, 14 profesorë apo 54 për qind nuk kanë asnjë punim të publikuar shkencor si autorë të parë apo korrespodent.

Sipas tij, fakulteti me më së shumti publikime shkencore është ai i Mjekësisë me gjithsej 66 punime në revista shkencore.

“Pikun e vet për publikime shkencore, Fakulteti i Mjekësisë e ka mbërritur në vitin 2013 me gjithsej 11 sosh. Universiteti i Gjakovës ‘Fehmi Agani’ është i dyti për nga fuqia e prodhimit shkencor, çka e bënë një universitet me perspektivë në të ardhmen”, ka deklaruar Gjinovci. Sipas tij, ndonëse nuk është i dyti për nga madhësia apo për nga buxheti, Universiteti i Gjakovës del i dyti për nga cilësia e integritetit akademik të stafit mësimdhënës në programet e akredituara.

Artan Nimani, rektor i këtij universiteti ka theksuar se ky raport nuk është edhe aq real meqë hulumtimi është bërë për 26 profesorë e aty punojnë 56 të rregullt.

“Megjithatë ky raport do të jetë udhërrëfyes për punën e mëtutjeshme”, ka shtuar Namani.