5 perditesime
23:36

Blakaj: Gjykimet në Speciale pritet të zgjasin me vite

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, thotë se gjykimet në Speciale pritet të zgjasin me vite.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në vitet e ardhshme do preokupohemi me gjykimet para Dhomave të Specializuara.

“Ne e kemi pa edhe në seancën e fundit, atë statutore, ku kishte një lloj debati mes prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarve. Prokuroria tentonte që gjykimi të fillonte sa më shpejt, ndërsa mbrojtja sigurisht kërkonte më shumë kohë që ta përgatisë mbrojtjen. Nuk e dimë ende se kur mund të fillojë gjykimi. Sigurisht jo para verës, ndoshta qershor apo korrik të vitit të ardhshëm. Nëse prokuroria ka përmendur numër të madh të dëshmitarëve, që do t’i ftojë dhe administrimin e provave të tjera, mendoj që gjykimi do të zgjasë ndoshta me vite, sigurisht nuk mund të parashohim tash saktësisht, por dy tri vite së paku do të zhvillohet ky gjykim. Nëse do të kemi edhe aktakuza tjera do të varet sa do të jenë voluminoze. Mendoj se në disa vite të ardhshme ne do të preokupohemi me gjykime para Dhoma të Specializuara”, ka deklaruar Blakaj.

23:34

Blakaj: Ka mostransparencë në dialog sa i përket çështjes së të pagjeturve

Bekim Blakaj nga FHD-ja në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ka mostransparencë në dialog sa i përket çështjes së të pagjeturve.

“Për shkak të mostransparencës, unë nuk jam i sigurt se në çfarë kategorie është futur por po besoj se palët kanë pasur hapësirë që t'i imponojnë temat që iu interesojnë atyre”, ka thënë Blakaj.

Ai thotë se nuk e di nëse çështja e të pagjeturve dhe e të zhvendosurve janë futur në një kategori apo jo.

“Pala jonë ka qenë e interesuar që çështjen e personave të zhdukur të jetë në tavolinën e dialogut dhe po besoj se të njëjtën gjë e ka bërë edhe pala serbe me çështjen e personave të zhvendosur mirëpo unë nuk e di nëse janë në një kategori apo nëse ka edhe tema të tjera për të cilat ne nuk mund të dimë në këtë moment”, ka thënë Blakaj. “Unë s'do të mund të thosha që janë fut në një kategori”.

23:31

Blakaj: Serbia po e shfrytëzon politikisht çështjen e të pagjeturve

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, thotë se Serbia po vazhdon të shfrytëzojë politikisht çështjen e të pagjeturve.

Ai në një intervistë në Interaktiv, ka thënë se Serbia po shfrytëzon momente të favorshme politike që të gjejë lokacionet me mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, kjo do të duhej të ishte çështje humanitare, e jo politike.

“Nuk do mend që autoritetet në Serbi duhet të kenë pasur informacione mbi lokacionin krejtësisht saktë, por si duket ende shfrytëzohen momente të favorshme politike nga Serbia që të gjejë lokacionin e saktë, ndoshta në mënyrë dinake është përmendur nga zyrtarët e komisionit serbë për të zhdukurit që informacioni për këtë informacion ka rrjedhur nga Kosova. Kjo ndoshta ka të bëjë me heqjen e përgjegjësisë. Si mund të jetë e saktë kjo, është për keqardhje që çështje a e personave të zhdukur edhe pas gjithë atyre takimeve dhe një marrëveshjeje që është nënshkruar në Uashington dhe në Bruksel ende po trajtohet si çështje politike e jo si humanitare. Gjithsesi është lajm i mirë që është gjetur lokacioni i saktë”, ka thënë Blakaj.

Ai thotë se procesi nuk duhet të ndalet këtu, duhet të zbulohen edhe lokacione të tjera.

“Është e rëndësishme që ky proces të fuqizohet dhe të ketë qasje më proaktive edhe nga institucionet në Kosovë edhe në Serbi në mënyrë që sa më shumë familje ta realizojnë të drejtën e vet për ta ditur dhe të marrin prapa eshtrat e të dashurve të tyre dhe t’i varrosin në mënyrë të dinjitetshme”, tha ai.

23:24

Blakaj: Serbia nuk po bashkëpunon me Kosovën, është e vështirë të vihet drejtësia

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se fakti se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe institucionet e Kosovës, e bën të vështirë që të sillet drejtësi për viktimat e krimeve të luftës. Ai ka thënë se Serbia me këtë i ka ofruar hapësirë të madhe atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë.

“Në fakt është një problem jashtëzakonisht i madh që e përcjell gjyqësorin e Kosovës nga paslufta e deri më tani. Për fat të keq është problem politik. Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk i njeh institucionet e saj, për këtë arsye nuk ka vendos asnjë bashkëpunim mes Prokurorisë Speciale për krime lufte në Serbi dhe asaj të Kosovës. Në këtë mënyrë, duke mosbashkëpunuar me Kosovën, Serbia i ofron hapësirë të madhe atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë e që gjenden në Serbi. U ka krijuar hapësirë për mosndëshkueshmëri. Ideja është se viktimat gjenden në njërën anë të kufirit, ndërsa kryesit e krimeve në anën tjetër. Përderisa nuk ka bashkëpunim mes dy vendeve, është e qartë se është shumë e vështirë që të sillet drejtësi për viktimat. Prokuroria Speciale, Departamenti për Krime Lufte, mund të ketë prova të mjaftueshme ndaj individëve të cilët kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Por, përderisa nuk ka bashkëpunim mes dy vendeve atëherë është e vështirë”, ka thënë Blakaj.

Ai ka folur edhe për gjykimin në mungesë.

“Ka më shumë dy një vit ndoshta dy, kur në kodin e procedurës penale të Republikës së Kosovës është amandamentuar dhe me një nen të posaçëm është bërë e mundur të organizohen gjykimet në mungesë për krime lufte. Mirëpo, edhe kjo nuk është e thjeshtë. Është e vështirë të organizohet një gjykim në mungesë. Deri më tash nuk kemi pasur gjykim të tillë. Në Fondin nuk kemi qenë në favor të gjykimit në mungesë. Nëse shërbehemi nga eksperiencat e vendeve në rajon, sidomos të Kroacisë, duket se nuk po jep rezultat. Shumë shpesh janë ftuar viktimat, komiteti i viktimave si dëshmitarë në gjykime të ndryshme, dhe janë zhgënjyer kur nuk e kanë parë në gjykatore të akuzuarin. Nuk është ky problemi i vetëm. Ka probleme edhe më të mëdha, kur bëhet fjalë për gjykimet në mungesë. Ato do të duhet të organizoheshin vetëm në raste të posaçme, kur nuk ka mundësi tjetër”, ka shtuar Blakaj.

23:20

Blakaj: Dënimi i Darko Tasiqit nuk është i mjaftueshëm për familjarët e viktimave

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se dënimi i Darko Tasiqit nuk është i mjaftueshëm për familjarët e viktimave.

“Është e natyrshme që familjarët të mos jenë të kënaqur me një aktgjykim të tillë. Familjet e viktimave, të cilat kanë pësuar këtu e 21 vite më herët nuk mund të jenë të kënaqur me asnjë aktgjykim, e sidomos jo në rastet ku shumica e kryerësve të krimeve asnjëherë nuk janë gjykuar prandaj ata gjithmonë kanë të drejtë ta shprehin pakënaqësinë e vet sepse për më shumë se dy dekada nuk kanë parë drejtësi”, ka thënë Blakaj.

Blakaj ka shtuar se edhe kjo drejtësi nuk është e mjaftueshme për ta, sepse është e qartë që Darko Tasiq nuk ka mundur t'i kryejë të gjitha krimet që janë kryer ndaj qytetarëve të Krushës së Vogël të Krushës së Madhe dhe sigurisht se janë të indinjuar familjarët.

“Ata kanë prit për drejtësi për një kohë shumë të gjatë dhe kjo drejtësi nuk është e plotë për ta. Kjo do të thotë se gjyqësori është dashtë të ndjekë penalisht edhe kryerësit e tjerë, sidomos ata që kanë marrë pjesë drejtpërdrejtë në ekzekutime. Ata duhet, por edhe përfaqësues të komunitetit të viktimave ta analizojnë mirë aktgjykimin dhe të shohin se në fakt lartësia e dënimit është e drejtë, mirëpo ata nuk duhet reshtur asnjëherë që të kërkojnë drejtësi që të ndjekin penalisht edhe personat e tjerë që kanë kryer krime ndaj tyre”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij duhet të ketë dënime edhe ndaj personave të tjerë.

“Sigurisht se është e pamjaftueshme që vetëm Darko Tasiq të përgjigjet për krimet e kryera në Krushë të Madhe dhe të Vogël”, ka thënë Blakaj.

Ai thotë se Tasiq nuk ka qenë i akuzuar për vrasje të drejtpërdrejtë.

"Besoj se ka njerëz, kryerës të këtyre krimeve në këto dy fshatra që kanë një përgjegjësi jashtëzakonisht më të madhe se Darko Tasiq dhe asnjëherë nuk janë kapur dhe nuk janë proceduar para gjykatës", ka thënë Blakaj.

23:15

Blakaj vlerëson se Apeli vendosi drejt që ia përgjysmoi dënimin të akuzuarit për krime lufte, Tasiq

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, vlerëson se Gjykata e Apelit ka vlerësuar drejt sot, kur ia ka përgjysmuar dënimin Darko Tasiqit, i akuzuar për krime luftë në Kosovë.

Apeli, sot ia zbriti në 11 vjet burgim Tasiqit, nga 22 sa ia kishte dhënë Gjykata Themelore në Prizren.

Blakaj në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se Themelorja ishte bazuar në një ligj që për të akuzuarin ishte më i disfavorshëm.

Sipas praktikë juridike, Blakaj, tha se për të akuzuarin duhet të aplikohet ligji i cili është më i favorshëm për të.

“Edhe Gjykata Themelore në instancën e parë ka sjell një vendim të drejtë, mirëpo jo edhe sa i përket ligjit, respektivisht kodin që e ka zbatuar me lartësinë e dënimit dhe kjo pastaj është ndrequr me vendimin e Gjykatës së Apelit. Fondi për të Drejtën Humanitare diku në qershor të këtij viti, kur është sjell vendimi në Themelore ka dalë me komunikatë për media, ku e ka cek se paneli gjyqësor ka aplikuar ligjin më të disfavorshëm për të dënuarin, gjë që nuk do të duhej të ishte rast dhe në fakt këtë e ka marrë parasysh Gjykata e Apelit dhe e ka sjell vendimin e duhur. Me gjithë respektin ndaj viktimave, është rregull gjyqësor, në të gjitha lëndët të çfarëdo natyre, të aplikohet ligji që është më i favorshëm për të akuzuarin”, ka thënë Blakaj.