Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, nuk e ka realizuar vizitën e paralajmëruar për muajin nëntor në Izrael.
Shefja e diplomacisë kosovare, më 22 tetor, gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, ka deklaruar se me ftesë të homologut të saj, do të vizitojë shtetin e Izraelit për të finalizuar çështjen e njohjes së Kosovës nga Izraeli, raporton KOHA.
“Shumë shpejt ka me pasë një vizitë në Izrael ashtu siç më ka ftuar homologu izraelit. Jemi duke punuar çdo ditë në finalizimin, në definimin e detajeve për sa i përket nënshkrimit të marrëdhënieve diplomatike me Izraelin”, ka thënë Haradinaj një muaj më parë.
Njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit është zotimi i 16-të i nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump. Përveç nënshkrimit, gjatë takimit mes Kosovës dhe Serbisë në Washington, kryeministri Avdullah Hoti përmes telefonit bisedoi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, e gjatë së cilës u dakorduan për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.
Lidhur me arsyet e mosrealizimit të vizitës së paralajmëruar, KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, por ajo nuk është përgjigjur të martën.
Detajet lidhur me këtë vizitë nuk kanë pranuar t`i bëjnë të ditura as nga Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit. Në një përgjigje të shkurtër për KOHËN, nga kjo ministri kanë rekomanduar që t`u drejtohemi institucioneve të Kosovës.
“Lidhur me vizitat e ministres, unë sugjeroj që t'i drejtoheni Ministrisë së Jashtme të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Punëve të Jashtme të Izraelit, Nizar Amer.
E njohësit e politikës së jashtme kanë qëndrime të ndryshme sa i përket finalizimit të njohjes nga Izraeli. Visar Xhambazi nga “Demokraci për Zhvillim” thotë se takimet lidhur me këtë çështje nuk janë prioritet i shtetit izraelit, derisa shton se vizita e ministres Meliza Haradinaj do të ndikonte në realizimin e zotimit të bërë.
“Kjo vizitë do të ishte e mirëseardhur për faktin se do të konkretizonte dhe do të finalizonte të gjitha aspektet teknike, por duhet të keni parasysh që këto takime nuk janë të varura vetëm nga pala kosovare, por edhe nga pala izraelite për shkak se njohja e Kosovës apo marrëdhëniet bilaterale nuk janë prioritet i Izraelit”, thotë Xhambazi.
Por sipas Emir Abrashit vizita e paralajmëruar do të duhej të mos mbahej deri në përfundimin e ndryshimit të administratës amerikane. Abrashi thotë se nuk mund të përjashtohet mundësia që lidhur me Izraelin, Amerika në krye me Joe Biden të ketë qasje tjetër.
“Republika e Kosovës duhet të presë edhe një muaj, mundësisht ta shtyjë një vizitë në Izrael për shkak se pritet ardhja e administratës së re të SHBA-së dhe të shihet qasja e re që ShBA-ja do të ketë karshi Izraelit. Nuk përjashtohet mundësia që administrata Biden do ta rikthejë administratën amerikane në Tel-Aviv dhe do t`i respektojë dy rezolutat e Kombeve të Bashkuara për statutin e Jerusalemit dhe faktikisht njohjen e Tel-Avivit si kryeqytet. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë Republika e Kosovës nuk duhet të hyjë në ekzibicione dhe të hapë një ambasadë të saj në Jerusalem, aq më tepër kur kemi parasysh faktin që politika e jashtme e Bashkimit Evropian është e drejtuar nga mosnjohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit”, thotë Abrashi, hulumtues në “Demokraci Plus”.
Njohja e Kosovës nga Izraeli nuk është mirëpritur nga Serbia, pavarësisht se deklarimi për një gjë të tillë është bërë në prani të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ambasadori izraelit në Serbi, Jahel Vilan, dy javë pas arritjes së marrëveshjes, ka deklaruar se për një gjë të tillë nuk është i kënaqur presidenti serb.
"Izraeli është shtet sovran dhe ky është vendimi ynë. Marrëveshja u nënshkrua, nuk është diçka që unë ose Vuçiq do ta ndryshojmë. Ne duhet të punojmë në përmirësimin e marrëdhënieve dhe të mos merremi shumë me diçka që është bërë para dy javësh e gjysmë në Washington", ka thënë ambasadori Vilan më 22 shtator. Vilan e pati cilësuar shumë pozitiv dhe lajm të mirë zhvendosjen e Ambasadës së Serbisë nga Tel-Avivi në Jerusalem, që po ashtu ishte zotim i Vuçiqit në Washington.
Por dakordimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit e zhvendosja e Ambasadës së Serbisë nga Tel-Avivi në Jerusalem nuk janë pritur mirë nga Bashkimi Evropian.
Tri ditë pas marrëveshjes në Washington, Brukseli ka paralajmëruar se "çdo hap diplomatik, që mund të vërë në pikëpyetje qëndrimin e përbashkët të BE-së për Jerusalemin, është shqetësues".
E gjithë kjo për shkak të statusit të Jerusalemit, i cili është çështje shumë gjatë e diskutueshme mes izraelitëve e palestinezëve. Që të dyja, Izraeli e Palestina e shohin Jerusalemin si kryeqytet të tyre. Në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe, në bazë të atij vendimi, kanë bartur ambasadën në Jerusalem. Por ndryshe nga administrata Trump, pak shtete - nga Bashkimi Evropian asnjë - e kanë ndjekur një hap të tillë.