Arbëri

Apeli ia përgjysmoi dënimin të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq

Gjykata e Apelit e ka përgjysmuar dënimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Kosovë, Darko Tasiq. Nga 22 vjet burgim, sa ishte dënuar Tasiq në qershor të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prizren, Apeli ia ka ulur dënimin atij në 11 vjet, duke e gjetur fajtor për veprat penale krime të luftës kundër popullatës civile.

Në njoftimin e Apelit thuhet se është aprovuar pjesërisht ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit duke e ndryshuar vetëm cilësimin juridik të veprës penale dhe vendimin mbi dënimin, raporton KOHA.

“Departamenti Special i Gjykatës së Apelit e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të akuzuarit D.T. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i datës 22.06.2020, është ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe vendimit mbi dënimin. Gjykata e Apelit gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës së fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. I akuzuari është dënuar nga Gjykata e Apelit më 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim”, është thënë, mes të tjerash, në vendimin e Apelit.

Edhe 5 muaj më parë, kur ishte shpallur vendimi për Tasiqin nga Themelorja në Prizren, lartësia e dënimit nuk i kishte ngushëlluar familjet e viktimave. Ndërsa vendimi i tashëm i Apelit është konsideruar fyes nga dëshmitarë, njëherësh familjarë të viktimave në Krushë të Vogël.

Njëri nga dëshmitarët në këtë proces gjyqësor ishte edhe Bajram Zylifu të cilit i janë vrarë 7 anëtarë të familjes së gjerë.

“Ai e di shumë mirë çka ka bërë në Krushë të Vogël. 113 viktima i ka gjuajtur në Drinin e Bardhë. Ky është ofendim i madh për viktimat dhe familjet e Krushës së Vogël. Shumë fyerje e madhe është kjo. Ka pasë mjaftueshëm dëshmi, por gjyqtarët tanë nuk kanë punuar sa duhet në këtë rast”, është shprehur i zhgënjyer Bajram Zylfiu pas vendimit të Apelit.

Kryetari i Këshillit të Fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, ka thënë se verdikti i shkallës së dytë ka qenë krim tjetër mbi viktimat e familjet e tyre.
“Ky vendim na ka indinjuar sepse kemi të bëjmë me krime në Krushë, ku i gjithë fshati është shkatërruar ka pasur djegie totale dhe masakra në njerëz. Jemi thellë të zhgënjyer me këtë vendim dhe është fyes edhe pse ka pasur dhjetëra dëshmitarë direkt që i kanë parë këto dhe kanë dhënë dëshmitë e tyre”, ka thënë Hoti.

Darko Tasiq, i cili është në paraburgim që nga viti 2018, akuzohej nga Prokuroria Speciale se në periudhën 15-26 mars 1999, së bashku me forcat policore dhe paraushtarake serbe kishte marrë pjesë në plaçkitjen dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet e tjera me vlerë të fshatarëve në përgjithësi dhe të familjes Hajdari në veçanti.

Prokurorja Drita Hajdari gjithashtu e ngarkonte Tasiqin për përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat e tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur ato në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Në masakrën e Krushës së Vogël u vranë e u masakruan 113 persona, ku vetëm më 25 e 26 mars të 1999-s në këtë fshat u vranë rreth 109 persona, përfshirë edhe fëmijë të moshës 13-vjeçare.

Në qershor të këtij viti, kur ishte marrë vendimi për dënimin e Tasiqit, para Gjykatës Themelore ishin mbajtur protesta familjare të viktimave dhe nga banorë të Krushës së Vogël. Ata kishin vendosur fotografi të familjarëve të tyre të vrarë në shenjë kujtimi për krimet që janë bërë, si dhe thirrje për dënimin e fajtorëve.