Arbëri

Riaktualizohet çështja e Qendrës Memoriale në Batajnicë

Foto: Arkiv/Ilustrim

Foto ilustrim

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka rikthyer vëmendjen kah peticioni që ka për qëllim krijimin e Qendrës Memoriale në Batajnicë të Serbisë.

Më 2001 në Batajnicë ishte zbuluar një varrezë masive, ku u gjetën 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës, të vrarë gjatë luftës së fundit.

“Me qëllim të zhdukjes së gjurmëve dhe të ikjes nga drejtësia, pas vrasjes në mënyrë monstruoze, kufomat e viktimave janë bartur mbi 400 km nga vendi i krimit, nga ana e urdhërdhënësve dhe ekzekutuesve, që ishin edhe zyrtarë shtetërorë të Republikës së Serbisë. Kjo hapësirë, ku janë varrezat masive shfrytëzohet ende sot nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë”, ka shkruar Kamberi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Ky peticioni është iniciuar më 2015 nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Riaktualizim i çështjes për krijimin e Qendrës Memoriale në Batajnicë, vjen në kohën kur në Kizhevak të Rashkës, autoritetet po kryejnë gërmimet, pasi është zbuluar një varrezë masive, ku dyshohet se janë varrosur mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.

Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-99.