1 perditesime
18:45

EULEX-i mirëpret raportimin e Simmons në Komisionin për Legjislacion

EULEX-i e ka mirëpritur vendimin e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete për ta ftuar ish-gjyqtarin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, Malcolm Simmons, në raportim.

Në një reagim në Facebook, nga EULEX-i janë shprehur se presin që Simmons edhe një herë të paraqesë versionin e tij, të njëanshëm, të pavërtetuar të shkeljeve të pretenduara gjatë kohës sa ai ishte gjyqtar aty.

“Si mision për sundim të ligjit, ne besojmë fuqishëm në drejtësi”, shkruan EULEX, duke vazhduar se drejtësia duhet të lëshohet nga gjykatat bazuar në prova dhe jo në pretendime të pabazuara.

“Në vitin 2019, z. Simmons inicoi procedurë ligjore para Tribunalit të Punësimit në Mbretërinë e Bashkuar kundër punëdhënësit të tij në MB në të cilën ai përsëri iu referua po këtyre pretendimeve kundër Misionit të BE për Sundimin e Ligjit. Tribunali i Punësimit, i cili është një Gjykatë Britanike, e hodhi poshtë kërkesën e z. Simmons që në këto procedura të merrte pjesë edhe Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit.

Para së gjithash, z. Simmons ka refuzuari të bashkëpunojë me një ekip hetimor të udhëhequr nga një gjyqtar në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, i cili u krijua për ta hetuar shkallën e shkeljeve të mundshme të raportuara nga z. Simmons. Kur atij iu dha mundësia për t’i mbështetur pretendimet e ndryshme të tij, z. Simmons nuk mundi t'i ofrojë ekipit hetues ndonjë provë për t’i mbështetur pretendimet e tij.

Për më tepër, një hetim i pavarur i drejtuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në lidhje me pretendimet për shkeljet e mundshme nga Z. Simmons në tre çështje individuale gjatë kohës së tij si gjyqtar në Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit u hetuan dhe u përfunduan. Në të tre rastet, me këshillat e bordit disiplinor u pajtuan autoritetet përgjegjëse dhe ato iu komunikuan z. Simmons dhe autoritetit dërgues të tij, pra Mbretëria e Bashkuar, i cili e kishte punësuar z. Simmons gjatë kohës sa ishte gjyqtar në Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit. Vendimi përfundimtar lidhur me masat të cilat duhej ndërmarrë si përgjigje ndaj këshillave të bordit disiplinor lidhur me shkeljet e z. Simmons i takon autoriteti dërgues të tij në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

10:18

Ish-gjyqtari i EULEX-it do të raportojë para deputetëve “për shkeljet nga ky mision”

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, do të raportojë para Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, lidhur me deklarimet e tij se ka pasur "shkelje" gjatë misionit të sundimit të ligjit në disa çështje të profilit të lartë në Kosovë.

Kjo është miratuar në mbledhjen e këtij Komisioni gjatë së premtes, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër raportimit të Simmons.

Kryetari i Komisionit nga LDK-ja, Shkëmb Manaj, i ka thënë KOHËS se janë kundër një dëshmie nga ish-gjykatësi i EULEX-it, nën arsyetimin se ky ka qenë një mision i themeluar nga Bashkimi Evropian dhe jo institucionet vendore.

“Kërkesa e parashtruar nga anëtarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Donika Kadaj-Bujupi, është mbështetur nga anëtarët e Komisionit. Qëndrimi zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është se z.Simmons nuk duhet të dëshmojë sepse misioni i EULEX-it është mision i themeluar nga Bashkimi Evropian dhe jo nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Manaj për KOHËN.

Krahas kësaj, dëshmia e ish-gjykatësit Simmons do të dëgjohet. Komisioni bëhet e ditur se do e njoftojë avokatin e Simmonsit për dëshminë e tij.

Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka akuzuar deputetin Manaj se e kishte fshehur kërkesën e ish-gjykatësit të EULEX-it për raportim të shkeljeve në sundim të ligjit.

E ftuar në Interaktiv të KTV-së, deputetja e AAK-së ka thënë se letra e pretenduar me shkelje serioze, ishte fshehur nga kryetari i Komisionit, Shkëmb Manaj.

“Ai kishte paraqitur pretendime për shkelje serioze të të drejtave të njeriut nga ana e drejtësisë ndërkombëtare. Kjo letër nuk u bë e njohur për ne edhe pse u drejtua për deputetët. Do të duhej të ndodhte. Me rregullore të Kuvendit ka qenë e paraparë që kryetari që ka marrë informatën nga administrata, edhe s’bëjmë mirë të themi se administrata ka përgjegjësi sepse ajo e ka njoftuar kryetarin e pesha e kësaj letre do të duhej menjëherë të na ftonte në një takim të hapur apo mbyllur sepse s’është e zakonshme një kërkesë e tillë që një zyrtar i lartë”, ka thënë Kadaj-Bujupi të enjten.