2 perditesime
23:40

Tolaj numëron arsyet pse Haradinaj duhet të bëhet president

Arbër Tolaj ka numëruar dhjetëra arsye pse lideri i partisë së tij, AAK, Ramush Haradinaj duhet të jetë president i vendit.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se Haradinaj e ka dëshmuar se ka përgatitjen, është lider konsensual dhe faktor unifikues.

Ka folur edhe për mospajtimet e partnerit kryesor në koalicioni qeveritar, LDK, që Haradinaj të shtyhet para për president.

“LDK-ja e ka të drejtë të mos pajtohet, mirëpo Kushtetuta e thotë se çdo qytetarë i Kosovës që ka moshën 35 vjeç ka të drejtë të kandidojë. AAK-ja muaj më parë në Këshillin e Përgjithshëm, e më pas edhe në Kryesinë e ngushtë ka bërë nominimin e Ramush Haradinajt për president të vendit. Mendoj se si subjekt politik kemi qenë shumë korrekt dhe konkret. Janë disa arsye pse Haradinaj duhet të jetë president dhe ato i dimë të gjithë, është faktor unifikues për çështje të mëdha e nacionale, të cilën e ka dëshmuar në vazhdimësi dhe është lideri konsensual”, ka thënë Tolaj.

Ai ka folur edhe për periudhën e fundit kur Haradinaj ishte kryeministër dhe sipas tij, ka bërë punë të mëdha për vendin.

Ka thënë se formimi i ushtrisë, Ligji për Trepçn dhe pavarësia e energjetike janë meritë e Haradinajt.

“Besojmë se do të arrijmë te një zgjidhje, e cila është më e mira. Për ne si Aleancë, Ramush Haradinaj është zgjidhja më e mirë”, ka shtuar Tolaj.

 

23:24

Tolaj: Vendi po futet në krizë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, ka thënë se vendi është duke u futur në krizë ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sipas tij, rrugëdalje nga kjo krizë është respektimi i masave të caktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Tolaj në Interaktiv të KTV-së deklaroi se Qeveria është duke shqyrtuar dhe rishqyrtuar të gjitha masat të cilat janë vënë për të lehtësuar dhe menaxhuar situatën me COVID-19.

“Qeveria aktuale është duke trajtuar dhe rishqyrtuar të gjitha masat të cilat janë në ndihmë dhe për lehtësimin dhe menaxhimin më të lehtë të gjendjes së pandemisë. Masat e fundit që kanë të bëjnë me ndalimin e lëvizjes së lirë pas orës 19, fillimisht qeveria ka potencuar se do ta vërë vendin në mbylljen totale mirëpo ne si Aleancë e kemi kundërshtuar këtë qasje dhe kemi propozuar të gjenden alternativat e mundësive për mbrojtjen e shëndetit publik, duke menduar se do të ruhet edhe ekonomia e vendit që është dëmtuar”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së tutje ka thënë se repartet dhe klinikat që nuk janë të ngarkuara me pacientë, mund të shërbejnë për pacientët e infektuar me COVID-19.

 

23:10

Tolaj: Probleme të shumta në menaxhimin e pandemisë

Deputeti i AAK-së, Arbër Tolaj, vlerëson se ka probleme të shumta në menaxhimin e pandemisë me COVID-19, pavarësisht angazhimit.

Ai në Interaktiv të KTV-së, tha se si qeveria e kaluar edhe kjo aktuale, po merren me trajtimin e masave që mund ta parandalojnë përhapjen e koronavirusit.

“Gjithmonë ka vend për përmirësime, edhe qeveria e kaluar ka dhënë angazhimin e saj për formën dhe menaxhimin e gjendjes së pandemisë, edhe qeveria aktuale në vazhdimësi është duke trajtuar dhe duke rishikuar të gjitha masat që janë në ndihmë të menaxhimit të pandemisë. Masat e fundit që kanë të bëjnë me ndalimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve pas orës 19:00, fillimisht qeveria ka pasur predispozita se do ta vë vendin në mbyllje totale, por ne AAK-ja e kemi kundërshtuar këtë qasje dhe kemi propozuar alternativa, duke menduar të ruhet edhe ekonomia, tha ai.

Ai thotë se pandemia solli “çrregullim në shërbimet shëndetësore” dhe se janë përballur vështirësi e probleme teknike për shkak se nuk është ditur si të sigurohet mbrojtje nga ky virus fillimisht. 

Ndërkaq, ka thënë se nevojitet shtim i shtretërve në reparte e klinika si dhe një klinikë e posaçme për COVID-19.

“Duhet pasur parasysh rritjen e kapaciteteve, shtretërve sidomos shërbimet spitalore, repartet që nuk janë të mbingarkuara me shërbime të veta, mund të shërbejnë për COVID-19. Po ashtu në QKUK të rritet numri i shtretërve. Propozimi që nuk është realizuar ende, ndërtimi i një spitali për COVID ku do trajtoheshin rastet vetëm me virus”, tha ai.