Arbëri

Deputetja e VV-së: Selmanaj duhet të trajtohet njëjtë si Jabllanoviqi

Lëvizja Vetëvendosje sot ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas diskutimeve për çështjen e të pagjeturve në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar.

Deputetja e kësaj partie, Arbresha Kryeziu-Hyseni, në Express Intervistë ka thënë se arsyeja e mosmarrjes së një vendimi të tillë nga qeveria është sepse janë të varur nga Lista Serbe, prej të cilëve shton se nuk guxojnë pasi flitet për krime të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

“Ndoshta arsyeja pse nuk po guxojnë të marrin veprime konkrete ndaj personit janë sepse po flitet për krimet që janë kryer nga Serbia nga popullit të Kosovës dhe për krime që askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Po heshtet tema, pasi që kjo qeveri është shumë e varur nga secila votë e Listës Serbe dhe nuk po merren veprime konkrete për t’ia dhënë dënimin të merituar Driton Selmanajt për deklaratën që ai ka dhënë për të pagjeturit”, tha ajo.

Kryeziu-Hyseni e ka krahasuar deklaratën e Selmanajt me atë të Aleksandër Jabllanoviqit, kur fyu nënat gjakovare në kohën kur ishte ministër për Kthim dhe Komunitete e që më pas nxiti protesta dhe u shkarkua. Ajo insiston se Selmanaj duhet trajtuar njëjtë si Jabllanoviqi.

“Jabllanoviqi në janar 2015 e pati dhënë atë deklaratën skandaloze që në të njëjtin vit u shkarkua. Në shkurtin që po vjen i bën 6 vjet që është shkarkuar sepse iu adresuar nënave të të pagjeturve në Kosovë. E kemi të njëjtin rast, familjarët e të pagjeturve u fyen nga zvkryeminsitri kur ai kësaj teme i adresohet e konsumuar dhe ezauruar. Edhe Selamanj duhet të trajtohet njëjtë si Jabllanoviqi”, tha ajo.

Me këtë qeveri, deputetja e VV-së thotë se nuk kanë probleme vetëm si parti po edhe si qytetarë.

“Edhe deklarata tregon vetë pozicionin që e ka kjo qeveri. Është deklaratë që i drejtohet çështjes së të pagjeturve si të konsumuar dhe kemi pozicionin e kryeministrit që i del në krah një deklarate të tillë sepse thotë se nuk ka ndonjë lloj fyerje. Kjo tregon që me këtë qeveri po kemi probleme serioze jo vetëm ne si VV, por si qytetarë dhe ky gabim i radhës së qeverisë është gabimi përtej çdo teme tjetër”, ka shtuar ajo.

Si qeveri e shkapërderdhur, ajo thotë se “janë treguar edhe në çështjen e të pagjeturve: të pamatur, joserioz, me fyerje të vazhdueshme”.

Ajo ka thënë se debati mbi temën e të pagjeturve nuk ka të bëjë me kohën kur u arrestuan krerët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa shton se nuk është hera e parë që LDK-ja bën deklarata të tilla për këtë çështje.

Kryeziu-Hasani përsëriti se nuk do të pranojnë adresimin e Selmanajt në foltoren e Kuvendit.

“Nuk do ta pranojmë asnjëherë adresimin e Driton Selmanajt nga foltorja e Kuvendit”, përfundoi ajo.