8 perditesime
12:46

Ndërpritet seanca e Kuvendit për mungesë kuorumi

Në mungesë kuorumi është ndërprerë seanca e sotme.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se në sallë ishin vetëm 44 deputetë, me çka pamundësohet vazhdimi i saj.

Për vazhdimin e seancës, Nagavci tha se do të vendosë Kryesia.


VV-LDK përplasen për numrat në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, janë përplasur për numrat në Kuvend para se të përfundonte seanca.

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka thënë se në sallë ishin 25 deputetë të Vetëvendosjes, duke shtuar se kur t’i sigurojnë votat mund t’i njoftojnë.

“Për hir të korrektësisë ju njoftoj që pa u konstatuar kuorumi nuk mund të vazhdohet tutje janë 2 interpelanca dhe 12 pika tjera. Për të vazhduar këtë seancë duhet të jenë minimumi 61 vota të siguruara nga koalicioni qeverisës. Kemi 25 deputetë të LVV-së. Kurdo që e siguroni numrin e pranishëm të deputetëve na njoftoni dhe vazhdojmë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Gashi ka thënë se përgjegjësi mbajnë vetëm për deputetët e LDK-së.

“PDK-ja me sa di ka deklaruar mungesë për një javë. Ne jemi këtu kurdo që dëshironi ta mbani seancën, nuk garantoj që është e njëjta edhe për Qeverinë. Po më çuditni me këto konstatime për koalicionin. Ky është Kuvend i Kosovës deputetët e kanë obligim të vijnë në seanca. Vendimet që kanë të bëjnë si propozime të koalicionit janë çështje tjetër pra mos i ngatërroni gjërat. Koalicioni vendimet e veta duhet t’i shtyjë përpara. Nuk mund të abuzoni kështu nga pozita e kryetares së Kuvendit, nuk është e drejtë”, ka thënë ai.

12:40

Pas pauzës, nis seanca

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës e cila shkoi në pauzë 15-minutëshe për të siguruar kuorumin.

Kjo u bë me kërkesë të deputetëve të LDK-së, për shkak se nuk kishte kuorum për të vazhduar punimet.

12:14

Kuvendi shkon në pauzë 15-minutëshe për ta siguruar kuorumin

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë 15-minutëshe për të siguruar kuorumin.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë kjo është bërë me kërkesë të LDK-së.

“Me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së shkojmë me 15 minuta pauzë për ta siguruar kuorumin për të vazhduar me seancë sepse nuk është konstatuar kuorumi prej 61 deputetëve dhe proceduralisht duhet të jemi 61 deputetë për ta vazhduar seancën”, ka thënë ajo.

12:09

Zemaj: Po tentojmë ta funksionalizojmë Fondin dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore

Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj në seancën e sotme e ka ngritur si çështje sigurimet shëndetësore të cilat ende nuk i gëzojnë qytetarët e Kosovës edhe 20 vite pas luftës.

Ajo kërkoi një afat se kur mund të kenë qytetarët e Kosovës sigurimet shëndetësore.

“Siç e dini ligji është miratuar në Kuvendin e Kosovë por asnjëherë nuk është implementuar. Çfarë është duke bërë Ministria e Shëndetësisë a është duke punuar për ndonjë projektligj të ri apo kjo çështje do zvarritet në pafundësi. A mundeni me na e dhënë një zotim se kur qytetarët e Kosovës do i kenë sigurimet shëndetësore”, theksoi ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se tashmë e kanë të draftuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe se po tentojnë që pa vonesë të funksionalizohet Fondi për Sigurime Shëndetësore, por edhe të nisë implementimi i këtij ligji.

“Implementimi i kësaj skeme është proces kompleks dhe po punojmë me intensitet maksimal që sigurimi shëndetësor të realizohet sa më parë. Është fakt që pandemia e ka vështirësuar situatën por Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, tenton që pa vonesa, në mënyrë eksplicite, ta funksionalizojë jo vetëm Fondin për Sigurime Shëndetësore por edhe fillimin e implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore që do të vijë së pari në Kuvendin e Kosovës dhe sigurisht pastaj do i nënshtrohet masave implementuese ku presin të gjithë qytetarët tanë dhe pa funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore po e shihni se sa është e vështirë edhe përmirësimi dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore në nivel vendi”, tha Zemaj.

11:40

Demi Murtezi pyet Hotin se kush e financon Mitrovicën V. rreth një projekti për ndarje të banesave

Labinotë Demi Murtezi, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka pyetur kryeministrin Avdullah Hoti për një projekt në Mitrovicën e Veriut.

Sipas saj, komuna ka shpallur një konkurs për ndarjen e 94 banesave për çifte të martuara. Demi Murtezi e ka pyetur Hotin nëse ai është në dijeni për këtë projekt dhe se nga kush monitorohet e financohet.

“Komuna e Mitrovicës Veriore ka shpallur konkurs për ndarjen e 94 banesave për çiftet e reja të martuara. Këtë e ka bërë të ditur më 12 tetor nënkryetari i Komunës. Në këtë konkurs janë ftuar të aplikojnë çifte që kanë jo më shumë se 10 vjet martesë dhe që kanë fëmijë ose që ndjehen të rrezikuar. Z.Hoti, a jeni në dijeni për këtë projekt nga kush po financohet dhe a është duke e monitoruar Qeveria e Kosovës dhe mbi çfarë bazë po bëhet përzgjedhja për këto banesa?”, pyeti Demi Murtezi kryeministrin Hoti.

Hoti në përgjigjen ndaj Demi Murtezit ka thënë se kjo është çështje e komunës, porse së shpejti, do të përgatitet një përgjigje me shkrim.

“Kjo çështje i takon pushtetit lokal në aspektin ligjor unë kam kërkuar përgjigje dhe do ta keni përgjigjen me shkrim për këtë projekt sepse është çështje e Komunës përkatëse. Atë që po bëjmë ne tash dhe është në draftbuxhetin që ka ardhur për shqyrtim dhe miratim është një kod i ri për ndërtimin e shtëpive në veri dhe jemi duke punuar tash për të përfshirë partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë qenë të involvuar në atë pjesë për ndërtimin e shtëpive për t’i kthyer shqiptarët në atë pjesë të vendit. Për projektin specifik do ta keni së shpejti përgjigjen me shkrim”, u përgjigj Hoti.

11:37

Pacolli e Hoti përplasen për çështjen e të pagjeturve në dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se çështja e të pagjeturve është primare në dialogun me Serbinë.

Ai në seancë ka thënë se në dialogun me palën serbe i cili është i ndërmjetësuar nga BE-ja, temë e parë është çështja e të pagjeturve.

“Po bëjmë përpjekje maksimale që të bëjmë progres në këtë çështje. Nga të gjitha qeveritë janë bërë përpjekje maksimale. Dialogu me palën Serbe i ndërmjetësuar nga BE-ja, jo rastësisht ka filluar me temën e parë që është çështja e të pagjeturve. Fakte të reja nga debatet televizive që nxjerrin në opinion mundësinë e 16 varrezave masive Deklarimet për varreza masive e fuqizojnë edhe më tepër përpjekjen për gjetjen e trupave”, ka thënë ai.

Hoti ka shtuar se synimi i tij mbetet kjo çështje dhe marrëveshja me Serbinë në fokus do ta ketë këtë temën e të pagjeturve.

Hoti këto deklarime i ka bërë pas pyetjes së deputetes së VV-së, Fitore Pacolli. Ajo e ka pyetur Hotin nëse do ta kushtëzojë dialogun me Serbinë me çështjen e të pagjeturve.

“Deklarimin e Kryetarit të Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës i cili ka folur për ekzistimin e 16 varrezave masive në Serbi dhe Serbia asnjëherë nuk ka dhënë informata për këtë çështje. A do ta kushtëzoni pjesëmarrjen e Kosovës në dialog me zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe me fillimin e hetimit zyrtar nga ana e Serbisë për fshehjen e fakteve për personat e pagjetur”, ka pyetur ajo.

11:21

Kadrijaj: Kosova e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se Kosova ka dëshmuar vazhdimisht se është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare sa herë që ajo thërret.

Ajo në seancë ka deklaruar se aksionet e bastisjes së EULEX-it, ishin të panevojshme por edhe skandaloze.

“Kemi pasur kryeministra e zyrtarë të lartë të shtetit që kanë dhënë dorëheqje nga detyra për t’u përgjigjur drejtësisë prandaj nuk ka pasur nevojë ai defilim i EULEX-it që ka krijuar trauma te familjarët”, ka thënë ajo.

Sipas saj, gjykata është e njëanshme dhe gjykon përpjekjen e një populli për të qenë i lirë.

“Aktakuzat duhet të na bëjnë të reflektojmë si shoqëri e si shtet, në këto momente koha është për unifikim të gjithë spektrit politik të Kosovës, gjithmonë kur kemi qenë bashkë kemi triumfuar. UÇK-në nuk mund ta njollos askush. Ne besojmë në pafajësinë e të gjithë juve që sot po përballeni me Gjykatën Speciale”, ka shtuar ajo.

10:50

Nis seanca

Me 40 minuta vonesë, ka nisur seanca parlamentare, ku veç tjerash janë paraparë dy interpelanca të kryeministrit Hoti. Shefi i ekzekutivit me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje do të ballafaqohet me deputetët për dy tema, për Liqenin e Ujmanit dhe për personat e pagjetur.

Në këtë seancë priten të shqyrtohet edhe disa projektligje.

08:09

​Sot mblidhet Kuvendi, Hoti në dy interpelanca

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në orën 10:00. Në këtë seancë pos tjerash janë paraparë edhe dy interpelanca të kryeministrit Hoti.

Hoti me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje do të ballafaqohet me deputetët për dy tema, për Liqenin e Ujmanit dhe për personat e pagjetur.

Në këtë seancë priten të shqyrtohet edhe disa projektligje.

Ky është rendi i ditës:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”,

4. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256,

11. Shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019,

12. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2019,

13. Shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019,

14. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2019,

15. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019,

16. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019,

17. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.