Arbëri

Vendimi i MASH-it për lirimin nga puna të mësimdhënësve të sëmurë nuk po zbatohet

Ndonëse e operuar nga kanceri i gjirit dhe së fundi duke u trajtuar edhe nga bronhiti kronik, mësimdhënësja e gjimnazit “Eqrem Qabej”, në Prishtinë, Nurije Kastrati, po detyrohet që çdo ditë të shkojë në shkollë.

Në këto rrethana, përkitazi me një vendim të Ministrisë së Arsimit, ajo nuk do të duhej të ishte duke dalë në vendin e punës, pasi përfshihet në numrin prej 300 mësimdhënësve me sëmundje të rënda, e të cilët liroheshin nga procesi mësimor, raporton KOHA.

62-vjeçarja nga Prishtina thotë se ka frikë për shëndetin e saj për shkak të pandemisë Covid-19, pasi në shkollën ku punon, që po vazhdon procesin mësimor me skenarin A, çdo ditë po shfaqen raste të reja.

“Nuk e shoh që ne duhet të rrezikohemi edhe tash kur e kemi një situatë që dihet çfarë është dhe ma merr mendja që gjatë verës Ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë do të duhej t’i koordinonin të gjitha veprimet, dhe t’i ndërmarrin masat mbrojtëse sidomos për kategorinë dhe pjesën e mësimdhënësve që edhe kanë pas dhe kanë probleme shëndetësore edhe e kanë moshën”, ka thënë Kastrati.

E kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar një takim me ministrin e Arsimit dhe drejtoritë komunale të arsimit, për të kërkuar informata pse nuk po realizohet kërkesa e tyre.

“Nga lajmet nga terreni, por edhe nga vizitat që na i bëjnë shpesh shihet se nuk është zbatuar vendimi. Vendimi është i qartë që 300 mësimdhënës duhet liruar nga procesi mësimor për këtë vit shkollor, në vend të tyre të merren kuadro të reja, sepse Qeveria ka ndarë mjete sipas kërkesës së MASHT-it dhe SBASHK-ut”, ka deklaruar Jashari.

KOHA ka pyetur Ministrinë e Arsimit se sa mësimdhënës që vuajnë nga sëmundje të rënda janë liruar nga puna këtë vit shkollor, por nuk ka marrë përgjigje.

Tri ditë më parë, në kuadër të masave të reja, Qeveria ka paraparë që personat me sëmundjet e rënda do të lirohen nga paraqitja në punë dhe punëdhënësit duhet të krijojnë kushte për angazhimin e tyre online nga shtëpia.