Arbëri

Kamberi: Reagimi i Vuçiqit tregon se pata të drejtë për temat e hapura në Kuvendin e Serbisë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se reagimi i presidentit të këtij vendi Aleksandar Vuçiq dhe i krerëve të tjerë institucional në fjalimin e tij para deputetëve, tregon se ai kishte të drejtë për temat që hapi në ditën kur u votua Qeveria e Serbisë, javën që shkoi.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se këto tema duhet të marrin përgjigje nga ata që janë përgjegjës.

“Nëse niveli i demokracisë së një shteti matet me atë se a guxon apo nuk goxon të flasë një deputet, kjo flet qartë se në çfarë gjendje ai shtet. Fakti se në atë parlament prej 250 deputetësh vetëm gjashtë janë opozitarë, është treguesi tjetër i një demokracie të brishtë, një totalitarizmi që mbretëron në Serbi, siç e thash edhe në parlament. Bëhet fjalë për ndërtimin e një shteti të një personi, i cili vendos për gjithçka dhe vet reagimet e tyre dëshmojnë qartë se kam pasur të drejtë. Temat që i kam hapur duhet të marrin përgjigje të drejtpërdrejta e jo të bishtnohen siç në vazhdimësi bën Serbia”, ka thënë Kamberi.

AI tha se pjesa liberale në Serbi, që është pakicë e ka mbështetur në forma të ndryshme atë dhe fjalimin që mbajti.