Arbëri

RRGK-ja letër Qeverisë: Kosova duhet ta prioritizojë zbatimin e Rezolutës 1325

Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një letre të hapur i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta prioritizojë zbatimin e Rezolutës 1325.

RRGK-ja kërkon që gratë të përfshihen në bisedimet me Serbinë, derisa kanë cekur pesë që Qeveria e Kosovës duhet t’i adresojë në dialogun me Serbinë.

Më poshtë gjeni letrën e Rrjetit të Grave:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti,

I nderuar Koordinator Shtetëror për Dialogun me Serbinë z. Skënder Hyseni,

Në prag të përvjetorit të 20-të të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), si rrjet i 156 organizatave anëtare, kërkon nga Qeveria e Kosovës të sigurojë pjesëmarrje përmbajtësore të grave në procese të negociatave, paqes dhe sigurisë, siç garantohet me këtë Rezolutë.

Për 20 vite, RrGK ka përdorur Rezolutën 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë si mjet për të luftuar për barazi gjinore, paqe dhe siguri në Kosovë. Rezoluta 1325 shprehë shqetësimin për faktin se pjesa më e madhe e personave të prekur nga konflikti janë gra. Si e tillë, kjo Rezolutë thekson rëndësinë e njohjes së rolit të grave në parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit si dhe konsolidimin e paqes.

Edhe pse hulumtimi “Ku është vendi im në tavolinë?” i realizuar rishtazi nga RrGK vë në pah kontributin e grave dhe vajzave në paqe dhe siguri gjatë dhe pas luftës, nevojat dhe prioritetet e grave nuk janë marrë në konsideratë gjatë negociatave dhe dialogut me Serbinë. Për këtë arsye, duke marrë për bazë të dhënat nga 434 gra dhe vajza të grupeve të ndryshme etnike që jetojnë në Kosovë, ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës t’i adresojë nevojat e grave në dialogun me Serbinë, si më poshtë:

Të sigurojë pjesëmarrje përmbajtësore të grave në vendimmarrje në lidhje me negociatat dhe dialogun, si përmes përfshirjes në ekipin zyrtar të negociatave ashtu edhe në konsultime publike;

Të kërkojë njohje të Kosovës nga Serbia dhe kërkim falje publike nga shteti serb për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë;

Të sigurojë kthimin e personave të pagjetur;

Të sigurojë ndjekjen penale ndaj personave që kanë kryer krime lufte në Kosovë, përfshirë dhunën seksuale të kryer gjatë luftës, duke arritur kështu drejtësinë; dhe

Të sigurojë kompensim dhe dëmshpërblim për shkatërrimet materiale, duke përfshirë kthimin e pensioneve.

RrGK do të vazhdojë të monitorojë nga afër zbatimin e Rezolutës 1325 nga Qeveria e Kosovës dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje. Ne jemi në shërbimin tuaj për t’iu ofruar emra të personave të kualifikuar dhe mbështetje në organizimin e konsultimeve publike drejt arritjes së një procesi demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili është qenësor për arritjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë, Serbi dhe rajon.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe veprimet tuaja të menjëhershme në këtë çështje.

Sinqerisht,

Rrjeti i Grave të Kosovës (156 organizata anëtare)