Arbëri

Lirohet shtetasi kosovar Gjocaj, MPJD-ja përsërit thirrjen që të shmangen udhëtimet nëpër Serbi

Serbia e ka liruar shtetasin e Kosovës, Agim Gjocaj, të cilin e kishte arrestuar para afro dy jave. Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës ka njoftuar për lirimin e Gjocajt, ndërsa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Nezir Mehmetajt.

Gjocaj ishte arrestuar gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë, ndërsa Nezir Mehmetaj vazhdon të mbetet në paraburgim në Serbi tash e dhjetë muaj.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës i ka përsëritur thirrjet ndaj shtetasve të Kosovës dhe bashkëatdhetarëve në diasporë që t’i shmangin udhëtimet nëpërmes Serbisë për shkak të rrezikut të ndalimit të tyre.

“MPJD bën thirrje që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, e ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë. Një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Washingtonit për Normalizim Ekonomik. Këto veprime, janë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike përmes propagandës së vazhdueshme raciste. Andaj, duke i pasur parasysh këto rrethana, MPJD i përsëritë thirrjet që shtetasit e Republikës së Kosovës dhe bashkëatdhetarët nga diaspora t’i shmangin udhëtimet në dhe nëpërmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimit të tyre, me akuza të motivuara politikisht”, thuhet nga MPJD.