Arbëri

Kërkohet rivendosje e angazhimit amerikan në Kosovë

Administrata e presidentit Donald Trump është kritikuar nga ish-zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara për qasjen e aplikuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në një tryezë online ku u diskutua për të ardhmen e Kosovës, organizuar nga Instituti për Studimin e të Drejtave të Njeriut pranë Universitetit të Columbias.

Ish-Sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, e cila ka shërbyer në periudhën e vitit 1999, kur SHBA-ja udhëhoqi fushatën e NATO-s për bombardimin e Serbisë, ka thënë se është e domosdoshme rivendosja e angazhimit amerikan në raportet Kosovë-Serbi, por edhe rajonin e Ballkanit në përgjithësi. Kjo, sipas saj, mund të bëhet nëse zgjedhjet e javës së ardhshme në ShBA prodhojnë ndryshim në lidership.

“Tani është koha ta rivendosim angazhimin tonë në Ballkan dhe kjo duhet të bëhet qysh në javën e ardhshme, pas katër vjetësh dështim dhe qasjes së aplikuar të administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Albright, e cila ka konfirmuar se e mbështet kandidatin demokrat për president, Joe Biden, teksa e ka falënderuar atë për kontributin në ndaljen e luftës së vitit 1999.

“Kosova mbetet një vend test për demokracinë, por me angazhim të madh të miqve në Kongres dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, mund të ndihmojnë në ndërtimin e paqes dhe prosperitetit për të gjithë”, ka potencuar Albright.

Engel: Presioni i padrejtë mbi Kosovën

Ndërkaq, kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka kritikuar administratën Trump për ushtrim presioni mbi Kosovën.

“Ka ndryshim mes asaj që tani bën administrata amerikane dhe si është vepruar në të kaluarën. Ju kujtohet kur u vendos tarifa ndaj mallrave serbe, ka qenë e tmerrshme të fajësohet Kosova dhe presioni të vendoset mbi ta. SHBA-ja duhet të jetë fer ndaj vendit që është aleat dhe dëshiron të punojë me ne, pavarësisht cila administratë është”, ka thënë Engeli.

Përveç SHBA-së, ai ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian për mungesë uniteti në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Besoj në dialog si rruga më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Por, është me rëndësi njohja nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ndërkaq, SHBA-ja duhet ta ndihmojë BE-në për ta arritur qëllimin”, ka shtuar ai, duke e quajtur lojë të Vuçiqit opsionin që implikon ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është loja e Vuçiqit dhe ajo u pa në vizitat e tij në SHBA, apo edhe konferencat në Munih të Gjermanisë, ku provoi t’i shtyjë përpara këto ide. Jam i bindur se ai deshi ndryshimin e kufijve, edhe pse nuk e thotë. Ndryshimi i kufijve e hap Kutinë e Pandorës, për këtë arsye e kundërshtoj”, ka shtuar Engel.

Clark kujton takimet me Millosheviqin

Pjesë e diskutimit, i cili u moderua nga profesori David L. Phillips, ka qenë edhe ish-Komandanti Suprem i NATO-s, Wesley Clark. Ai ka zbuluar detaje nga takimet e tij me Sllobodan Millosheviqin, pak kohë para se të niste fushata e bombardimeve.

“Tri herë shkova ta takoj Millosheviqin, ai thjesht nuk donte të bindej me mjete diplomatike. Ai më tha - ne e dimë si të merremi me kosovarët. I thashë si do ta bëni këtë? Ai më tha- do t’i vrasim të gjithë. Aty e kuptova se në çfarë telashe jemi me të. Ndërhynë edhe rusët dhe Serbia dërgoi trupat në Kosovë, por sërish përpjekjet diplomatike nuk u ndalën. Pasi nuk u bind Millosheviqi, ishte vendimi më i vështirë që Albrighti dhe Clintoni e morën - ta përdorin forcën kundër Millosheviqit dhe kështu vepruam. Intensifikuam sulmet dhe të njëjtën kohë vazhduan përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e problemit, derisa përfundimisht kjo ndodhi”, ka treguar Clarku.

jemi krenarë me ato që ka arritur populli i Kosovës, me ndihmën e Amerikës. Marrëdhëniet tona mbesin të forta dhe tani sfidë për Kosovën është ndërtimi i një shteti demokratik, të fortë ekonomikisht dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë”, ka përfunduar ai.

Edhe pse Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizimin ekonomik më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ajo është konsideruar e pamjaftueshme për t’i zgjidhur problemet mes dy vendeve. Ajo u quajt historike nga presidenti Trump dhe delegacioni kosovar, edhe pse nuk e përmban elementin kryesor të cilin e kishte proklamuar në vazhdimësi kryeministri Hoti e presidenti Thaçi. Delegacioni kosovar i udhëhequr nga Hoti ishte zmbrapsur nga përcaktimi që marrëveshja me Serbinë ta ketë edhe “njohjen e ndërsjellë”.

Kjo ka ndodhur pavarësisht fakti se në draftin fillestar ishte përfshirë edhe “njohja e ndërsjellë” dhe emërtimi “Republika e Kosovës”, por që janë hequr në marrëveshjen finale. Ashtu sikurse titulli i Marrëveshjes, edhe çështjet për të cilat arritën pajtim Kosova e Serbia janë kryesisht ekonomike. Hapja e linjave ajrore, hekurudhore e rrugore, si dhe integrimi i Kosovës në zonën e Mini-Schengenit Ballkanik, pas disa vitesh refuzim - janë pikat mbi të cilat kanë vënë firmën Kosova e Serbia. Po ashtu marrëveshja nuk u nënshkrua në “Kopshtin e Trëndafilave”, që është sinonim për marrëveshjet historike të cilat ndërmjetësohen nga amerikanët. Atë ua kishte premtuar presidenti amerikan Trump në vitin 2018, presidentëve Thaçi-Vuçiq, nëpërmjet letrës që i inkurajonte palët të shkojnë drejt marrëveshjes së paqes.

Presidenti i SHBA-së vazhdon ta proklamojë si trofe diplomatik. Në tubimet zgjedhore para mbështetësve të tij ai e ka përsëritur disa herë se i ka ndalur “vrasjet në masë” midis Kosovës dhe Serbisë.