Ndryshimet në dikasterin që e udhëheq Agim Veliu janë më të diskutuarat dy javët e fundit.
Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, të martën nuk ka raportuar në Komisionin për siguri në Kuvendin e Kosovës.
Për këtë ai u kritikua nga deputetet e opozitës.
Ai u thirr në komision pasi javë me parë Qeveria ka shkarkuar ish-drejtorin, Rashit Qalaj, nga pozita e drejtorit të Policisë, ndërsa ka shuar plotësisht Njësitin Kundër Korrupsion.
KOHA ka raportuar që tenderët të kohës së Veliut si ministër i Punëve të Brendshme po hetoheshin nga Task-Forca, tashmë e shuar.
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka kërkuar që nëse këta tenderë po hetohen në komision për raportim duhet të vijnë edhe zyrtarë të Task-Forcës së shuar.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka cilësuar të papërgjegjshëm ministrin Veliu.
“Ne kemi ofruar data dhe ai nuk gjen mundësi. Përgjigja e tij se e ka agjendën e zënë është kamuflim dhe papërgjegjësi e plotë sepse është dashur të arsyetojë agjendën më të rëndësishme sesa raportimi para komisionit dhe deputetëve. Kjo qeveri duhet ta ndalë arrogancën. Në fund të fundit policia është e Kosovës e jo e partive politike. Ky institucion ka filluar të degradohet dhe të humbë respektin ndaj qytetarëve. Qeveria të mos bëjë mashtrime optike pa dhënë sqarime, ne duhet t’i dërgojmë ministrit të papërgjegjshëm kërkesë”, tha Musliu.
Për shkak të mungesës së Veliut, sipas Rexhep Selimit, deputet i VV-së, duhet të thirret interpelancë që Veliu të raportojë në Kuvend.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, e ka lavdëruar shkarkimin e Qalajt, e për Sabein Mehmetin ka thënë se është “më i zi”, por ka thënë se pajtohet që të mbahet interpelancë për këtë çështje.
“Sa i përket shkarkimit të drejtorit unë e kam kërkuar vetë dhe kam dhënë arsyetimet e mia dhe qëndroj në atë punë.... dhe gjithashtu pata paralajmëruar se ky tjetri që vjen është më i zi se ai që ka shkuar”, tha Berisha.
Qalaj është shkarkuar 2 javë më parë, me arsyetimin se ka pasur performancë të dobët, ndërsa dy ditë më vonë është shuar Task-Forca Kundër Korrupsionit, me arsyetim se ishte kundërkushtetuese.