Arbëri

Kosova s’ka databazë të qasshme për dëmet materiale të luftës

Shteti i Kosovës nuk ka një databazë të qasshme me të dhënat për dëmet materiale të luftës, ndërkohë që Qeveria thotë se është e gatshme që për reparacionet të ulet në tavolinë bisedimesh me Serbinë.

Pas marrëveshjes së Washingtonit, kryeministri Avdullah Hoti paralajmëroi se kjo temë do të hapet më 17 shtator, në takimin e Brukselit, në kuadër të çështjeve pronësore dhe financiare. Por procesi u bllokua pasi nuk pati pajtim që të diskutohet për Asociacionin, raporton KOHA.

Edhe pse thotë se është e përgatitur për këtë temë, Qeveria nuk ka vënë dispozicion për publikun materialin me të cilin do ta ballafaqojë palën serbe.

“Dëmet e luftës janë vlerësuar nga komisionet komunale menjëherë pas luftës, si dhe nga Oda Ekonomike. Gjithashtu edhe institutet kërkimore, duke zbatuar metodologji përkatëse kërkimore të standardeve ndërkombëtare, kanë bërë hulumtime dhe kanë dhënë vlerësime për dëmet e luftës. Nga këto dy vlerësime dalin vlerësimet e përafërta për dëmet direkte nga pasojat e luftës, përkatësisht dëmet e shkaktuara nga ushtria dhe policia e Serbisë”, është thënë në përgjigjen e Qeverisë.

As Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna konkrete.

“Në bazë të diskutimeve përbrenda ekipit të dialogut, Kosova ka material të mjaftueshëm për të paraqitur humbjet që ka pësuar gjatë luftës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Megjithatë, të dhënat për dëmet e luftës i ka përmbledhur dhe publikuar arkivisti Jusuf Osmani në dy vëllimet e tij të titulluara “Krimet e Serbisë në Kosovë” 1998-1999.

“Si udhëheqës i Arkivit shtetëror të Kosovës kam formuar një ekip, ku kam marrë informacione nga komunat lidhur me dëmet”, ka thënë ai.

Osmani thotë se nuk e di nëse ekipi kosovar që do të bisedojë për reparacionet e luftës është i përgatitur. Ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së njerëzve të fushës në këtë proces.

“Kisha apelu që Kosovën ta përfaqësojnë të çdo lëmie pra ata që kanë fakte sepse me fakte i kundërvihet edhe faktorit ndërkombëtar se krimet janë të vërteta. dhe duhet mu kompensu”, ka thënë Osmani.

1 miliard e 108 mijë e 333 euro është shuma që e mbërrijnë dëmet për shtëpi të shkatërruara, të djegura ose të dëmtuara për 30 fshatrat e komunave të Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999.

Sipas këtij publikimi, më e dëmtuara del të jetë Peja me 12 mijë e 428 shtëpi të dëmtuara.

20 milionë e 224 mijë euro është shuma e objekteve të rrënuara, të djegura e të dëmtuara, edukativo-arsimore, në 30 komunat e Kosovës. 4 milionë e 90 mijë është shuma e dëmeve të objekteve të shkatërruara të shëndetësisë.

Arkivisti Osmani thotë se nëse është e nevojshme, është i gatshëm t’ia ofrojë shtetit faktet që ai i posedon, vetëm që Kosova të dalë sa më mirë dhe më e përgatitur për këtë temë.