Arbëri

Nisma distancohet nga vjedhja e 2 mln € nga Thesari

Descriptive Text

Nisma Socialdemokrate ka reaguar për “avullimin” e më shumë se dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Nisma Socialdemokrate thotë se ka dënuar vjedhjen e dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit,

“Nisma Socialdemokrate dënon aktin kriminal të vjedhjes së mbi dy milion eurove nga buxheti i Kosovës. NISMA Socialdemokrate jo vetëm që distancohet, por është e pakompromis në luftën kundër krimit ndaj kujtdo qoftë që zgjedh të përfshihet në veprime të tilla kriminale, pa dallime, qoftë votues apo anëtar i yni, të tillët nuk kanë vend në familjen tonë politike! Prandaj tendencat për të njollosur partinë politike përmes veprimeve kriminale të individëve është veprim i papërgjegjshëm që për qëllim nuk ka luftën kundër krimit, por dëmtimin e një subjekti politik!”, thuhet në reagimin e Nismës.

Tutje, i kanë bërë thirrje drejtësisë të merret me rastin.

“Edhe njëherë i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të angazhohen me vendosmëri të madhe dhe sa më shpejt që është e mundur t’i vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij krimi të rëndë financiar”, thuhet në reagim.

KOHA ka mësuar se një anëtare e kabinetit qeveritar është vajza e pronarit të kompanisë ku kanë përfunduar paratë. Sipas burimeve, këshilltarja e zëvendëskryeministres Albulena Balaj-Halimi, e cila njëkohësisht ishte edhe kandidate për deputete e NISMA-s, është vajza e Kadri Shalës, që për momentin është në arrati. Dje zv.km e ka shkarkuar Hajrie Gashin.