6 perditesime
10:16

Hoti: Unë do t’i përgjigjem Kuvendit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se do t’i përgjigjet thirrjeve për interpelanca.

“Sa i përket interpelancave janë bërë nga GP i VV-së. Unë do t’i përgjigjem Kuvendit sepse e kam obligim edhe sot do të informojë. Kurdo që e dorëzoj detyrën ju siguroj që ka me ia dorëzuar kryeministrit të ardhshëm shumë më mirë se sa që e kam marrë”, u shpreh Hoti.

Seanca veçse ka filluar.

Në seancën e dytë plenare që do të nisë në ora 10:00, do të mbahet interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Interpelanca e dytë me kryeministrin Hoti do të mbahet sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”.

Hoti do t’iu përgjigjet serish pyetjeve të deputetëve në interpelancën e tretë, me kërkesë të deputetit Rexhep Selimi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

10:13

Hoti paralajmëron vazhdimin e aksionit në Karaçevë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar aksion tjetër në Karaçevë.

Sipas Hotit, pavarësisht se ishte punë e mirë, ende s’ka përfunduar.

“Aksioni me Karaçevë është sukses i madh, por nuk është shkuar deri në fund. Nuk janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme. Kanë ngec diku dhe do të vazhdojmë edhe më tutje, ju do të shihni javëve në vijim”, tha Hoti.

10:08

Hoti: Nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se s’do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.

Kjo deklaratë e tij vjen pas kërkesës së fundit të Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun, se s’ka marrëveshje përfundimtare pa asociacionin.

“Kushtetuta është prekur më 2013 kur është ratifikuar kjo marrëveshje. Kjo çështje më nuk hapet por është krijuar një obligim. Marrëveshja nëse arrihet duhet të ratifikohet nuk preket karakteri unitar i Kosovës nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha Hoti.

Hoti, tutje shtoi se “nuk i nënshtrohet askujt përveç Kushtetutës dhe Kuvendit”.

“Ne jemi në proces të dialogut me parime të qarta. Unë kam vlerësuar në këtë moment që ai vendim është i papërshtatshëm. Nuk pres që asociacioni të bllokojë procesin e dialogut. Për shkak se është një dakordim që asociacioni është e mbyllur. Nëse bllokohet jo për shkak tonin sepse besoj që kemi treguar mjaft përkushtim në këtë proces”, tha Hoti.

10:03

Hoti: Task-Forca ishte antikushtetuese

Kryeministri Avdullah Hoti, foli në konferencën për shtyp edhe për shfuqizimin e Departamentit Special Anti-Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.

Shuarjen e task-forcës, thotë ta ketë bërë për shkak se ishte antikushtetuese.

“Ka qenë antikushtetues. Pushtetet janë të ndara. Përmes këtij vendimi brenda PK janë kritikuar struktura jo ligjore jo në përputhje me ligjin. Ju garantoj që ne do ta kthejmë ligjshmërinë. Unë ju garantoj që jemi të vendosur që të kthejmë ligjshmërinë. Dhe me lejoni të them që nuk keni parë gjë akoma sa i përket vendimeve për kthim të ligjshmërisë”, theksoi Hoti.

Shuarja e Task-Forcës nga Qeveria Hoti u kritikuar nga shoqëria civile, nga EULEX-i e nga Bashkimi Evropian.

09:59

Hoti: Qalaj punoi në kundërshtim me legjislacionin

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se Rashit Qalajn e ka shkarkuar për shkak të performancës.

“Vendimi i tretë që kemi marrë të premten në Polici në bazë të raportit të performancës nga ministri i Punëve të Brendshme (Agim Veliu), e kam liruar nga detyra. Raporti i performancës i ministrit ka treguar për të përformancë jo të kënaqshme”, tha Hoti në konferencën për shtyp.

Këtu ka theksuar se Qalaj punoi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë në kundërshtim me legjislacionin e ka ndryshuar organogramin e Policisë së Kosovës pa e kaluar fare në procedura, e të njëjtin nuk e ka publikuar asnjëherë duke e mbajtur të fshehtë nga ministri e qytetarët”, tha ai.

09:51

Hoti jep arsyet e shkarkimit të Murtezajt nga ATK-ja dhe Xhakës nga Dogana

Sa i përket shkarkimit të drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, kryeministri Avdullah Hoti ka dhënë arsyet e shkarkimit.

“Ka miratuar rregulloren për organizimin e brendshëm të ATK-së në kundërshtim me ligjin përkatës. Ka shpallur konkurs për vende të reja pune dhe nuk ka sistemuar ish-zëvendësit e tij që i ka konsideruar tepricë. Ka bërë lëvizjen e shpejtë të stafit. Të gjitha shkeljet janë konstatuar me vendimin e avokatit të popullit. Për të gjitha këto arsye ne është dashur që të marrim këtë vendim”, theksoi Hoti.

Ilir Murtezaj u shkarkua më 16 tetor nga kjo pozitë.

Në vend të tij e ka emëruar Ekrem Hysenajn.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkarkuar edhe nga detyra e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhakën. Në vend të tij e ka emëruar Bajram Rexhën.

“Te Dogana e Kosovës është në proces e sipër zhvillimi i konkursit. U.d është në procedurë të konkursit dhe kemi vlerësuar qe të caktojmë një u.d që nuk është në proces të konkursit, kjo është arsyeja që ne e kemi liruar nga detyra u.d”, tha Hoti.

09:45

Hoti: Morëm qeverisjen në situatën më të vështirë në 20 vitet e fundit

Kryeministri Avdullah Hoti, në një konferencë për media, ka folur për situatën aktuale me pandeminë COVID-19 dhe sipas tij, arritjet e qeverisjes së tij.

Hoti, ndër tjera, theksoi se është dashur punë që qeveria e tij ta kthejë partneritetin me disa vende.

“E kemi marrë qeverisjen në një gjendje tepër të vështirë ndoshta situata më e vështirë në 20 vitet e fundit, sigurisht nga situata me pandeminë por edhe të shkaktuara nga qeverisja jo adekuate. Na është dashur punë shumë e madhe që ta heqim izolimin për Kosovën të kthejmë partneritetin me vendet kyçe”, tha Hoti në konferencën për shtyp.

Gjatë kësaj periudhe, tha Hoti, është menaxhuar mirë pandemia.

“Kosova tani merret shembull. Në fushën e arsimit janë zhvilluar edhe modalitete të ndryshme për të organizuar në kohë të pandemisë”, tha tutje kryeministri.