6 perditesime
21:14

Nga aksioni i Karaçevës do të duhej të kishte konfiskime të mëdha, sipas Vrajollit

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në emisionin Desku në KTV ka thënë se në aksionin e Karaçevës do të duhej të kishte konfiskime më të mëdha.

“Reagimi ka qenë i duhur, ndër problemet në Kosovë sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative të nivelit të lartë është konfiskimi i pasurisë. Në përgjithësi ajo çfarë pret nga aksion që u raportua të jenë rreth 500 policë, pret që të ketë miliona të konfiskuara dhe për mua është pak shqetësuese që të shpenzohet gjithë ai resurs shtetëror për aq pak konfiskim”, ka thënë Vrajolli. “Kazinot besoj se duhet të ketë mjete financiare aty. Mbyllja e kazinove mendoj se do të ishte një procedurë më e lehtë, nuk është ndoshta problemi më i madh me mbyllë kazino”.

Megjithatë, ai thotë se aksioni i Karaçevës duhet të përshëndetet.

“Është një aksion i cili duhet të përshëndetet për faktin që është përmendur se rreth 60 persona kanë qenë të arrestuar, të dyshuar për krim të organizuar në përgjithësi po pritjet janë gjithmonë janë që të preket aty ku është qëllimi i krimit të organizuar. Dhe qëllimi i krimit të organizuar është krijimi i dobive financiare. Luftimi i krimit të organizuar duhet të orientohet në konfiskimin e vlerave të fituara në mënyrë ilegale dhe në Kosovë ndodhë shumë pak”, ka thënë Vrajolli.

21:06

Kelmendi: Ndërhyrja e Mustafës në rastin e Rugovës, eklatante

Arben Kelmendi thotë se ndërhyrja e liderit të partisë kryesore në Qeveri, LDK-së, Isa Mustafa, në punë e gjyqësorit në rastin e arrestimit të nënkryetarit të kësaj partie, Haki Rugova, është rast eklatant dhe se do të reflektojë në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit.

Menaxheri i programit për transparencë dhe anti-korrupsion pranë Institutit Demokratik i Kosovës (KDI), në emisionin DESK-u, tha se me këtë rast ka të bëjë me ndikim politik në gjyqësor. Dhe sipas tij, gjendja në gjyqësor nuk mund të ndryshojë pa ndryshim të politikës.

“Ndërhyrja në rastin e Haki Rugovës ka qenë një prej skandaleve të radhës, në këtë rast jo i qeverisë, por partnerit më të madh në qeveri, LDK-së, kur kryetari i saj del në konferencë për shtyp, pasi publikohet paraburgimi”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka thënë se duhen ndryshime të mëdha, duke nisur nga politika.

“Këtu kemi të bëjmë me interferenca politike në punën e gjyqësorit. Ky është problemi më akut, me të cilin duhet me u ballafaqu shoqëria kosovare në vijim. Ndryshimi fillon në nivelin politik. Do të thotë, pa ndryshime politike nuk do të ketë kurrë ndryshime, të korruptuarit nuk mund ta luftojnë korrupsionin, sepse i bie se do ta luftonin vetveten”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi shtoi se e gjitha që do të duhej të bënte qeveria është të linte gjyqësorin të punojë është siç e parasheh Kushtetuta, i pavarur.

“Krejt çka duhet është ta lënë gjyqësorin të kryejë punën e vet, që e ka me Kushtetutë dhe me ligje”, tha ai.

20:59

Vrajolli: Politika ndikimin më të madh e ka tek policët që hetojnë krimet ekonomike e korrupsionin

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka deklaruar se Policia e Kosovës i ka dy imazhe: Imazhi i policit të thjeshtë, që kontribuon shumë në komunitet dhe imazhi i dytë është kur luftojnë me betejën më të madhe që Kosova ka, atë të korrupsionit.

Vrajolli në DESKU-n e KTV-së, ka thënë se imazhi i policit ndonjëherë ndërtohet edhe për faktin që polici i thjeshtë, është afër komunitetit, ndërsa ai imazh, shpeshherë dëmtohet nga segmente të caktuara të policisë, duke u ndikuar nga politika.

“Në Kosovë nuk ka aq shumë tendenca të hakmarrjes, më tepër mund të them se qëllimi është njëfarë konsolidimi i pozicioneve të partive politike në segmente të caktuara, për shkak se jo domosdo të gjithë personat që janë emëruar në Qeverinë e mëhershme, janë suspenduar”, ka deklaruar ai.

Vrajolli tutje ka thënë se arsyeja se pse disa zyrtarë janë targetuar, qëndron tek fakti i pozicionit të tyre që ndoshta ka qenë në kundërshtim me objektivat që politika i ka pasur.

20:49

Kelmendi: Gjyqësori nuk i ka duart e lira

Arben Kelmendi, menaxher i programit për transparencë dhe antikorrupsion pranë KDI-së (Instituti Demokratik i Kosovës), në emisionin Desku në KTV ka thënë se Qeveria më së shumti do t’i kontribuonte luftimit të korrupsionit duke ia lënë duart e lira gjyqësorit.

“Qeveria do t'i kishte kontribuuar më së shumti luftës kundër korrupsionit sikur t'ia kishte lënë duart e lira gjyqësorit. Në momentin që gjyqësori fillon të punojë në mënyrë të pavarur i ka duart e lira. Çfarë duhet të bëjë Qeveria është të mos bëjë asgjë. Duhet t'ia lë duart e lira sepse në sistemin aktual gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës ka gjyqtarë dhe prokurorë që e dinë punën e tyre dhe e dinë se çfarë është korrupsioni sepse është një kapitull i tërë në kodin penal të Kosovës e cila i shkruan të gjitha veprimet të cilat kualifikohen si korrupsion ose si keqpërdorim i pozitës zyrtare për përfitime personale”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij kemi të bëjmë kryekëput me interferenca politike në punën e gjyqësorit.

“Ky është problemi më akut me të cilin duhet të ballafaqohet shoqëria kosovare në vitet në vijim. Ky ndryshim fillon me nivelin politik. Të korruptuarit nuk mund ta luftojnë korrupsionin sepse i bie se do të duhej ta luftonin vetveten. Krejt çfarë do të premtonin (partitë politike) është që ta lënë gjyqësorin që ta kryejë punën e vet që e ka me Kushtetutë”, ka thënë ai.

Kurse ndërhyrjen e LDK-së në rastin e Haki Rugovës, Kelmendi e ka quajtur si një nga skandalet e radhës të partnerit më të madh në qeverinë aktuale

20:40

Kelmendi: Nuk mund ta largosh një mekanizëm anti-korrupsion e të mos e zëvendësosh

Arben Kelmendi, menaxher i programit për transparencë dhe anti-korrupsion pranë Institutit Demokratik i Kosovës (KDI), vlerësoi se shuarja e Task-Forcës brenda Policisë për luftimin e korrupsionit është përcjell me terr informativ dhe arsyetime të papranueshme nga ana e Qeverisë Hoti.

Kelmendi, në DESKU-n e KOHËS tha se nëse një departament që luftonte krimin e organizuar, është shuar, atëherë duhet të zëvendësohet me një të ri, për të treguar se Qeveria e ka seriozisht në këtë fushë.

“I gjithë ky terr informativ, në të cilin po na mban ekzekutivi kosovar, po na bënë që me hy në fusha të spekulimeve dhe me kriju skenare në kokat tona për shkak të mungesës së informacioneve. Kjo është shqetësuese. Kryeministri Avdullah Hoti gjatë konferencës për shtyp tha se kjo po bëhet për shkak se ka qenë një projekt i përbashkët me EULEX-in dhe përderisa EULEX-it iu ka ndërruar misioni para dy viteve ne duhet të lëvizim tutje. Po çka? Do të krijohet një departament i ngjashëm, apo si?. Pasi nuk mund ta shpërndash një makanizëm anti-korrupsion dhe të mos e zëvendësosh me një tjetër, i cili do të kishte vazhduar te paktën me mandatin që e ka pas”, ka thënë Kelmendi

Ai thotë se vetëm me krijimin e një departamenti tjetër, Qeveria do të jepte mesazhin se e ka seriozisht luftimin e krimit dhe korrupsionit.

20:33

Kelmendi: Sot e kësaj dite nuk e dimë pse u shkarkuan drejtori i Policisë, Doganës dhe ATK-së

Menaxheri i programit për transparencë dhe antikorrupsion, Arben Kelmendi, ka deklaruar se është shqetësuese procesi i vendimmarrjes dhe mënyra sesi i kumtohen publikut vendimet e Qeverisë.

Kelmendi në emisionin DESKU të KTV-së, ka thënë se ekzekutivi ua ka borxh qytetarëve, mediave dhe shoqërisë civile një llogaridhënie dhe transparencë më të madhe.

“Ne sot e kësaj dite nuk i dimë arsyet pse janë shkarkuar këta udhëheqës të institucioneve, arsyet pse po emërohen këta anëtarë të bordeve, në kohën kur Qeveria Hoti ashtu si edhe Qeveria Kurti, zotohej se do të luftohej korrupsioni, se do të bëhej një mbikëqyrje më efikase ekzekutive ndaj ndërmarrjeve publike dhe një varg zotimesh tjera”, ka deklaruar ai.

Kelmendi tutje ka potencuar se Qeveria Hoti duhej të kishte zyrtar të emëruar të Qeverisë dhe strategji të qartë komunikimi që të forcohej komunikimi me qytetarët dhe mediat do ishin drejtuar kah zyrtari, për të marrë më shumë informacione rreth vendimeve.

20:29

Vrajolli: Qeveria nuk e dha as nivelin bazik të transparencës në shkarkimin e Qalajt

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë se Qeveria nuk ka pasur as nivelin bazik të transparencës me rastin e shkarkimit të drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.

Sipas Vrajollit duhet të ketë një proces vlerësues i cili do të duhej të ishte bërë edhe publike për shkak se qytetarët kanë nevojë të dinë se cilat kanë qenë këto shkelje, a kanë rrezikuar jetën e qytetarëve këto shkelje apo për çfarë lloj shkeljesh bëhet fjalë.

“Të paktën një nivel bazik i transparencës, në lidhje me këtë proces do të duhej të kishte ndodhur, kjo nuk ka ndodhur, ndoshta arsyet do të mund jenë të ndryshme. Apo ndoshta mund të ketë edhe ndonjë implikim të ndryshëm, edhe bazë të mjaftueshme për një gjë të tillë. Ne për momentin nuk e dimë, mund të supozojmë. Për shembull është përfol për kohë të gjatë shkarkimi i tij se pritej të ndodhë, mbase edhe që nga fillimi i këtyre dy qeverisjeve të këtij viti”, ka thënë Vrajolli.

Ai ka shtuar se kemi pasur indikacione se ka pasur njëfarlloj konsensusi ndërmjet partnerëve në Qeverinë Kurti për shkarkimin e Qalajt, porse qasja ka qenë më ndryshe.

“Në atë kohë mendoj se është supozuar se shkeljet mund të gjinden vetëm se duhet të kërkohen dhe në njëfarë forme është aluduar se partnerët janë marrë vesh", ka thënë ai.