Arbëri

Kurti fton shqiptarët në SHBA ta votojnë Bidenin

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ta votojnë Joe Biden për president në zgjedhjet presidenciale.

Ai përmes një video-mesazhi në Facebook, ka thënë se një votë për Biden, është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë.

“Që nga vitet e 90-ta, Joe Biden është një mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan. Ishtë ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit; që bëri thirrje për ndërhyrje amerikane në Bosnjë, dhe më pas në Kosovë, që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve serbë të luftës; dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës” ka thënë Kurti.

Kurti tutje ka deklaruar se shqiptarët kanë vetëm një mik të vërtetë dhe një aleat të dëshmuar, sipas tij, ai është Joe Biden nga Partia Demokratike.

Deri më tash, nuk ka qenë praktikë e përhapur që liderët në Kosovë të pozicionohen për ndonjë kandidat në zgjedhjet e SHBA-së, megjithëse sipas një postimi të mëhershëm të Kurtit, presidenti Hashim Thaçi ishte përzier në zgjedhjet e kaluara presidenciale.

Kurti sa ishte kryeministër pati marrëdhënie goxha të acaruara me Administratën Trump, sidmos me të dërguarin e presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Zgjedhjet në SHBA do të mbahen më 3 nëntor.