Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi, vlerëson se nuk i bën mirë vendit që brengosja kolektive me negociatat me Serbinë të transformohet në energji negative drejtuar lehtësuesit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Sipas Surroit, Lajçak po konstaton gjendjen faktike të trashëguar nga marrëveshjet e nënshkruara mes kryeministrave të Kosovës dhe kryeministrit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Surroi përmes një postimi në Facebook, ka nxjerr katër pika, që sipas tij e tregojnë gjendjen faktike.
“1. Kryeministri i Kosovës (Thaçi) ka nënshkruar në prill të vitit 2013 marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe. Dokumenti i nënshkruar parasheh një rrafsh të tretë të pushtetit. 2. Kryeministri i Kosovës dhe ekipi i tij negociator po ashtu kanë nënshkruar planin për zbatimin e marrëveshjes. Elementi i parë i zbatimit është ‘adaptimi i kornizave juridike’ në mënyrë që obligimet e marra të zbatohen. Kjo do të thotë se Kosova ka pranuar se duhet ta ndryshojë kornizën e vet juridike në mënyrë që të futet Bashkësia e komunave serbe në të. 3. Kuvendi i Kosovës me votën e dy të tretave të deputetëve të tij e ka ratifikuar këtë marrëveshje; pra ka ratifikuar obligimin e marrë nga Thaçi për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe si rrafsh i tretë i pushtetit , mes atij qendror dhe atij vendor. 4. Kryeministri i Kosovës (Mustafa), në bazë të obligimeve të pranuara nga kryeministri paraprak dhe nga Kuvendi i Kosovës ka nënshkruar më 2015 një marrëveshje që është në vijimësi të asaj të vitit 2013, e që përshkruan parimet e ndërtimit të autonomisë territoriale të serbëve në Kosovë”, ka shkruar Surroi.
Me këtë, sipas Surroit, formulimin se do ndryshuar Kushtetuta nuk e ka bërë Lajçaku.
“E kanë bërë nënshkruesi i Marrëveshjes së vitit 2013 dhe Kuvendi i Kosovës, me dy të tretat e votave të veta. Ky është tashmë problem evident (dhe i radhës) për Kosovën , dhe nuk zgjidhet duke hedhur dru mbi Lajçakun apo ndërmjetësit e mëhershëm. Nuk zgjidhet as duke hedhur dru mbi njëri tjetrin në Kosovë. Gjendja mund dhe duhet të tejkalohet, por kërkon maturi, diplomaci dhe unitet”, ka shtuar ai.
Së fundi është aktualizuar së tepërmi tema për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Serbia dhe serbët në Kosovë insistojnë për asociacion me kompetenca ekzekutive, kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë, derisa Lajçaku së fundi tha se Asociacioni do të bëhet, e për statusin e tij do të negociohet në Bruksel.