Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se palët ishin të gatshme për të zbatuar Marrëveshjen e arritur për normalizim të raporteve, në takimin e 26 tetorit në Bruksel, por sipas tij, nuk ranë dakord për modalitetet.
Ai ka shkruar në Facebook të dielën mbrëma se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, patën komente dhe pyetje mbi propozimin evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas Lajçakut, statuti i Asociacionit nuk do t’i kalojë “kufijtë e kuq të palëve siç janë përcaktuar më parë”, e siç ka thënë ai, ky statut është në përputhje me standardet më ta mira evropiane për mbrojtjen e pakicave.
“E mirëpres që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet. Ata kishin komente dhe pyetje për propozimin evropian për statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin ua kemi paraqitur gjatë misionit tonë të përbashkët të shtunën e kaluar”, ka shtuar ai.
I dërguari i BE-së është shprehur se edhe Serbia ka shumë obligime të pazbatuara, duke shtuar se “së shpejti do t’i ftojë kryenegociatorët në Bruksel për t’i diskutuar hapat e ardhshëm”.
“Shpresoj se do të jemi në gjendje të sqarojmë pyetjet dhe shqetësimet e hapura në javëve në vijim. Statuti ynë propozon një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane dhe nuk i kalon kufijtë e kuq të palëve siç janë përcaktuar më parë. Por, ky nuk është i vetmi element që ka nevojë për zbatim. Edhe Serbia ka shumë obligime të pazbatuara nga Marrëveshja dhe ne duhet të shohim që zbatimi të përparojë paralelisht, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të marrin atë që kanë rënë dakord”, ka thënë ai.
Edhe
Lajçak: Ka hapa konkretë në dialog, por jo përparim në implementim
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për “TV Prva” ka thënë se në Bruksel të enjten ua ka bërë të qartë përfaqësuesve ndërkombëtare se nuk do ta zbatojë asnjë pikë të marrëveshjes që ka të bëjë me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në OKB.