Arbëri

Pas SHBA-së, edhe BE-ja tërhiqet nga procesi i monitorimit në Këshillin Prokurorial

Descriptive Text

Pas Ambasadës së SHBA-së, edhe BE-ja është tërhequr nga procesi i mbikëqyrjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve.

Zëdhënësja për Komunikim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Dinka Zhivalj, ka thënë për KOHËN se edhe BE-ja i ka dilemat e vetë rreth këtij procesi dhe se për këtë arsye do të tërhiqen, deri në rishikim të tërësishëm të tij.

“I kemi marrë parasysh shqetësimet e shprehura nga SHBA-ja. Edhe BE-ja i ka dilemat e veta dhe ka vendosur që po ashtu të tërhiqet nga procesi, përderisa ai të mos rishikohet në tërësi dhe të kryhet në pajtim me ligjet dhe rregulloret përkatëse”, ka thënë Zhivalj.

Ambasada amerikane të premten në mbrëmje ka deklaruar se është tërhequr nga procesi i mbikëqyrjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj në KPK si dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve.

Në një reagim të ashpër, ambasada ka kritikuar mungesën e transparencës dhe konfliktin e interesit duke kërkuar që prokurorët të zgjidhen mbi bazën e kualifikimeve të tyre, jo mbi atë të përkatësive politike apo lidhjeve.

“Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese janë rrënjësisht të prishura. Atyre u mungon transparenca dhe i ekspozohen gjithnjë e më shumë konfliktit të interesit”, ka deklaruar Ambasada amerikane.

KOHA kishte raportuar se KPK-ja ka mbetur pa tre anëtarë. Ata kanë dhënë dorëheqje, në prag të shpalljes së konkursit për kryeprokurorë të Prokurorive Themelore në Kosovë. Zejnullah Gashi nga Peja, Dëshire Jusaj nga Gjakova e Arben Ismajli nga Gjilani kanë paraqitur dorëheqjet e tyre të enjten, në mbledhjen e KPK-së.