1 perditesime
Arbëri

EPIK: Pakoja e Zgjerimit gjen Kosovën si të vetmin vend në Ballkan pa strukturë institucionale për integrim evropian

EPIK: Pakoja e Zgjerimit gjen Kosovën si të vetmin vend në Ballkan pa strukturë institucionale për integrim evropian
Raporti i vitit të shkuar i KE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor
17:20

EPIK: Pakoja e Zgjerimit gjen Kosovën si të vetmin vend në Ballkan pa strukturë institucionale për integrim evropian

Shuarja e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe bartja e përgjegjësisë në kuadër të zyrës së kryeministrit ka bërë që Kosova të jetë i vetmi vend në Ballkan që në Pakon e Zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk ka strukturë institucionale për integrim evropian, sipas Institutit “EPIK”.

Ky institut, përmes një komunikate për media ka thënë se publikimi i Strategjisë së Zgjerimit dhe Raportit të Vendit përbën themelet e vlerësimit politik dhe teknik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi përshëndetur vendimin e Qeverisë për ri-organizimin e strukturës institucionale përgjegjëse për procesin integrues dhe një gjë të tillë në fakt e kemi rekomanduar në tetor të vitit 2019, në përputhje me përvojat më të mira të vendeve të rajonit dhe vendeve të cilat tani më janë bërë shtetet anëtare të BE-së. Sidoqoftë, Qeveria edhe pas katër muajve nuk ka arritur të ngrit strukturën e re për integrim Evropian. Në mungesë të vendimit të Kryeministrit për emërimin e një anëtari të kabinetit qeveritar përgjegjës për procesin integrues, agjenda Evropiane vazhdon të trajtohet si çështje ad hoc dhe sekondare nga anëtaret e ndryshëm të kabinetit qeveritar. Kjo situatë ka krijuar konfuzion dhe përshtypjen se Qeveria e Kosovës nuk e sheh procesin integrues si një proces të rëndësisë strategjike për vendin. Në këtë kontekst, publikimi i nesërm i Pakos së Zgjerimit dhe Planit Investiv dhe Ekonomik për rajonin e gjen Kosovën si të vetmin vend në rajon pa adresë politike dhe pa strukturë institucionale për integrim Evropian”, thuhet në komunikatë.

Sipas EPIK-ut, dështimi për të ngritur strukturë të re institucionale është “indikacion i mungesës së vëmendjes dhe përgjegjësisë politike për procesin i cili gëzon përkrahjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës dhe është sinonim i unitetit të spektrit politik të Kosovës”.

EPIK-u ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Avdullah Hoti që të emërojë një nga anëtarët e kabinetit qeveritar si titullar politik për procesin integrues të vendit dhe të prezantojë një plan të qartë të tranzicionit institucional të MIE-së drejt strukturës së re qeveritare.

“Mungesa e një plani efecient të tranzicionit do të vazhdoj të krijojë boshllëk politik dhe paqartësi institucionale duke dëmtuar kështu agjendën integruese të vendit. Publikimi i nesërm i Pakos së Zgjerimit duhet të shërbejë si momentum i reflektimit të gjithë spektrit politik dhe mundësi unifikimi politik për të avancuar reformat në rrugën tonë integruese”, thuhet tutje në komunikatë.

Image
15:58

Nesër raporti i KE-së: Ku ka shënuar progres Kosova e ku jo, sipas Institutit EPIK

Komisioni Evropian të martën do të publikojë raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor që synim kanë anëtarësimin në BE.

Dhe, në raporte do të vlerësohet gatishmëria e këtyre vendeve për antarësim.

Në raportet e vitit të shkuar, vendet ishin ndarë në tri grupe: në atë mesatarisht të përgatitur ishin futur Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në pak të përgatitur Shqipëria dhe në stad të hershëm, Kosova e Bosnjë-Hercegovina.

Instituti EPIK, të hënën përmes një postimi në Facebook, ka treguar punën që institucionet e Kosovës kanë bërë dhe atë që nuk e kanë bërë dhe që pritet të përfshihen në raport.

Sipas kësaj organizate, Kosova ka bërë përparime në politikat doganore, pastaj në shërbimet financiare, lirinë për të ofruar shërbime dhe politikat industriale e të ndërmarrësisë. E kapitujt me më së paku progres, sipas EPIK-ut janë: Drejtësia, liria e siguria; Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Shkenca dhe hulumtimi; Arsimi dhe kultura, Mjedisi, Shëndeti dhe mbrojtja e konsumatorëve; Punësimi dhe politikat sociale; Politikat e transportit, Politikat e konkurrencës dhe; politikat ekonomike e monetare.

“Përderisa jemi në pritje të publikimit të nesërm të raportit të Komisionit Evropian për Kosovën një rikujtim se në cilat fusha Kosova ka bërë progres më së shumti, e në cilat më së paku, bazuar në raportin e vitit të kaluar”, ka shkruar Instituti EPIK.