Në 24 orët e fundit janë raportuar 24 vdekje si pasojë e COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë në raportin e saj ditor, të mërkurën, ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë shënuar po ashtu 1.029 raste pozitive.
Rastet kanë dalë nga kryerja e 13.084 mostrave të dyshimta për Sars Cov-2.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 3.266 persona duke e ulur numrin e rasteve aktive në 22 mijë e 223.
Nga 24 të vdekurit, sipas raportit të sotëm, një i takon grupmoshës deri nëntë vjet, një asaj 20-29-vjeçare dhe një 30-39-vjeçare.
Që nga fillimi i pandemisë deri tash në Kosovë, si pasojë e virusit, jetën e kanë humbur 2.709 persona. Janë regjistruar në total 154 mijë e 607 të infektuar, ndërsa janë shëruar 129 mijë e 675 prej tyre.
Ndërkaq, në spitalet dhe klinikat e Kosovës janë duke u trajtuar 1120 pacientë. Prej tyre 957 po trajtohen me oksigjenoterapi, e 78 janë në kujdes intensiv.