Arbëri

Mustafa thotë se kanë hequr vijat e kuqe për PDK-në

Ndonëse nuk është biseduar për një qeveri gjithëpërfshirëse, Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka hequr të gjitha vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se vijat e kuqe ndaj PDK-së u hoqën për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje, derisa gjatë një interviste dhënë për KosovaPress, ai ka folur edhe për çështjen e postit të presidentit.

“Meqenëse nuk kemi biseduar nuk mund të them pranohet apo jo, por ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme por edhe kur të vijmë në zgjedhjet e ardhshme për arsye se shumë vështirë po mund të bëjmë zgjidhje, duke izoluar ose duke dhënë ndalesa të bashkëpunimit në disa subjekte politike, sidomos tani situata e cila u krijua para një kohe me paralajmërimin e aktakuzave kundër presidentit të vendit dhe kryetarit të PDK-së, na sjellë në një situatë të rëndë ku ne duhet më shumë të mendojmë për interesa të vendit sesa për të lidhemi vetëm për interesa partiake”, ka thënë Mustafa.

Kohë më parë edhe publikisht kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të jetë kandidat për president kur do të vijë koha e zgjedhjes për këtë post. Por, Mustafa ka thënë se nuk janë marrë vesh për poste dhe se për këtë mbetët të flitet më pas.

“Kur e kemi bërë koalicionin ne nuk jemi marrë vesh, ose nuk kemi diskutuar fare për postin e presidentit. Të vetëdijshëm se me votat të cilat ne i kemi llogaritur që do të kemi si koalicion qeverisës nuk mund ta bëjmë presidentin. Ne si LDK nuk kemi pretendime që ta kemi edhe pozitën e kryeministrit dhe atë të presidentit, por vlerësojmë që kjo çështje duhet të diskutohet më gjerë edhe me partitë e koalicionit, edhe me PDK-në, edhe me Vetëvendosjen, sepse pa njërën prej këtyre dy partive politike nuk mund të zgjidhet presidenti”, ka thënë Mustafa.

Tutje ai ka shtuar se, “nuk e di se cila prej tyre ka pretendime për presidentin më shumë, kush ka kandidatë që do t’i propozojë por po ashtu e di që kjo problemi nuk mund të zgjidhet vetëm me kandidatura por do të zgjidhet në një tryezë ku subjektet politike do të flasin dhe do ta trajtojnë në mënyrë të thellë këtë çështje ndërmjet vete. Ne nuk kemi asnjë arsye të themi se po tërhiqemi nga posti i kryeministrit sepse dikush ka ambicie të bëhet president”.