Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë në Interaktiv të KTV-së se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa janë përgjegjësit kryesorë, të cilët pos që sponzorizuan, edhe u bënë trysni deputetëve të miratojnë Ligjin rreth Speciales.
Ai ka thënë se OVL e UÇK-së ka reaguar vazhdimisht rreth kësaj, teksa është pyetur nëse veprimet e organizatës së kryesuar prej tij janë të vonuara, marrë parasysh miratimin e ligjit.
“E dini reagimin tonë edhe në parlament, edhe në rrugë, e dini më shkresat tona. Do të thotë se gjithnjë kemi reaguar. Kemi reaguar edhe ndaj presidentit Thaçi edhe më herët e edhe tani, se e dimë që Thaçi është koordinator apo bashkë me Mustafën kanë qenë ata në koalicion që e kanë sponzorizuar Specialen”, ka thënë ai, duke thënë se dihet se ata janë sponzorizuesit e Speciales, duke bërë trysni ndaj deputetëve për ta votuar këtë Ligj rreth Speciales.
“Mendoj se pjesa dërmuese e deputetëve as që e kanë hapë dokumentin se çfarë shkruan. Tash e kanë parë gabimin e vet”, ka thënë ai, teksa ka insistuar që për miratimin e këtij ligji, deputetët të kërkojnë falje. “Unë e di që shumica e deputetëve tash i kanë rënë pishman”, ka vazhduar ai.
Ai ka thënë se është “e padrejtë” që OVL e UÇK-së të akuzohet për minim të drejtësisë, gjë të cilën sot e ka bërë Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një njoftimi për medie.
“Të gjitha ato që kanë rrjedhë kanë rrjedhë nga Zyra e tyre, sepse ata vetë e pranojnë. Hetuesit që kanë qenë te ne tash e tri ditë rresht e pranojnë se dokumentacioni ka qenë i tyre”, ka thënë ai.
Gucati ka thënë se i vjen mirë që mediat janë përgëzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Edhe unë jam të lavdërohen mediat, sepse mediat e kanë ruajtur çdo gjë që e kanë marrë prej neve. Por, edhe ne e kemi ruajtur çdo emër dhe çdo dokument që ka qenë”, ka thënë ai.
I pyetur rreth paralajmërimeve se OVL e UÇK-së do të mund që në njëfarë forme të ndiqej penalisht, ashtu si secili që publikon dosje të tilla, Gucati ka thënë se “është i hapur” në rast të çfarëdo ftese nga Specialja.
“Kur të më thirrë Gjykata Speciale, jam i gatshëm të përgjigjem për këto vepra, nëse kam shkelur ligjin apo kam bërë vepra penale. Ne e dijmë se s’kemi bërë ndonjë vepra, sepse nuk kemi treguar emër apo mbiemër. Kemi treguar dokumentacionin që dëshmon se Gjykata Speciale është në bashkëpunim me gjykatën dhe prokurorinë speciale serbe”, ka thënë ai.