14:42

Musliu e quan politike vdekjen e të birit të tij në Qendrën e Studentëve

Naim Musliu, babai i të ndjerit Agon Musliu, që vdiq gjatë karantinimit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë në muajin maj, ka akuzuar shtetin e Kosovës për vdekjen e të birit. Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e kishte “dërguar në burg” të birin e tij, duke e quajtur Qendrën e Studentëve “burg të Albin Kurtit”.

Musliu para deputetëve në Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë ka thënë se autoriteteve u kishin treguar se i biri i tij ka pasur probleme dhe se “ishte i mërzitur dhe se i shqetësuar”.

“Vdekja e djalit tim është vdekje politike”, ka thënë ai duke nxjerrë edhe dokument për lejim për dalje në rrugë për të shkuar që ta marrë djalin në Prishtinë. Musliu ka thënë se ka kontaktuar vazhdimisht me të birin dhe se dokumente për gjendjen e tij iu ka treguar autoriteteve. Ai para deputetëve ka treguar edhe një dokument për gjendjen e të birit para se të shkonte në Gjermani.

“Djali im po të mos kishte shqetësime, s’do të tentonte të kthehej fare në Kosovë e unë s’do të trazoja askënd e s’do të kontaktoja kryetarin e komunës e ambasadorin. Djali ka dashur vazhdimisht të kthehej prej që iu bllokua masteri aty. Atij i është matur vazhdimisht temperatura në aerodrom dhe i kam thënë vazhdimisht mos lejo të shkosh në karantinë. Fakt është që djali im ka tentuar dhe ka bërë përpjekje për të mos shkuar në karantinë, por s’është marrë parasysh. Djali im s’ka qenë për karantinë, por askush s’e ka marrë parasysh këtë”, ka thënë Musliu ndër shumë akuza.

“S’më kanë lejuar as ta shoh. Ai më kishte parë mua, por unë atë jo”, ka deklaruar Musliu.

Kushtetuese ka thënë se ishin shkeljet për dërgimin e udhëtarëve nga jashtë në Qendrën e Studentëve për karantinim.

14:18

Babai i Agon Musliut nis raportimin para deputetëve, hedh kritika ndaj VV-së

Me akuza të rënda ndaj deputetëve të Vetëvendosjes, ka nisur raportimi në Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë i Naim Musliut, babai i Agon Musliut, që vdiq gjatë karantinimit në Qendrën e Studentëve, në muajin maj.

Ai në fillim ka kërkuar që të ketë një minutë heshtje për djalin e tij dhe ata që kanë vdekur si pasojë e koronavirusit. Musliu ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje duke thënë se “sa herë po flitet për djalin tim, ju po e ulni kokjën”.

“Përse nuk flisni. Po të ishte familjar i juaji do të qitnit zjarr për goje”, ka thënë ai në hyrje të fjalimit të tij.

Musliu ka thënë se djali i tij ka vdekur në “duart e shtetit”.

I është drejtuar deputetes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, se “i ka treguar administratës që t’i tregojnë çka të flasë”.

Musliu e ka quajtur diktator kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në atë kohë ishte kryeministër i vendit.

13:28

Përgjegjësi i karantinës thotë se s’kishte marrë asnjë dëshmi për gjendjen e Agon Musliut

Përgjegjësi i karantinës në Qendrën e Studentëve, Valdet Hashani, ka treguar se s’kishte marrë asnjë dëshmi për gjendjen e Agon Musliut, që vdiq në këtë qendër në muajin maj.

Gjatë raportimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për pandeminë, Hashani ka thënë se nuk kishte pasur asnjë dokument për të, por ka shtuar se kishte marrë një mesazh nga ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, njëkohësisht menaxher i karantinës në atë periudhë, Izet Sadiku, dhe se kishin dërguar kërkesë te Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës për të ftuar mjekët për këtë çështje.

Hashani ka thënë se s’ka pasur asnjë kontakt as me babanë e të ndjerit.

Intervistimi i Hashanit ka përfunduar pas dy orësh raportim. Në orën 14:00 pritet raportimi i prindit të Agon Musliut.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar që të hidhet në votim nëse do të jetë i mbyllur raportimi i Naim Musliut, por deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kundërshtuar duke thënë se duhet të jetë i hapur, vetëm nëse ajo kërkohet nga vetë dëshmitari.

12:22

Deputetët përplasen pasi Haxhiu e quajti karantinën “Aushfic”

Debat i ashpër po zhvillohet në komisionin hetimor për çështjen e pandemisë, pasi që deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka quajtur karantinën “Aushfic”.

Kjo ka nxitur deputeten Mimoza Kusari-Lila që t’ia tërheqë vërejtjen pasi që, sipas saj, s’mund të bëhet një krahasim i tillë.

Në anën tjetër, deputetja tjetër e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka kërkuar që të ndërpritet mbledhja nëse edhe njëherë përmendet ai term.

Haxhiu i ka quajtur dy deputetet e VV-së “avokate” të Valdet Hashani, përgjegjës për karantinë, i cili është duke raportuar në këtë komision parlamentar.

Në këtë komision pritet të raportojë edhe babai i Agon Musliut, që vdiq gjatë kohës sa ishte i karantinuar në Qendrën e Studentëve.

11:40

Përgjegjësi i karantinës raporton para Komisionit hetimor për menaxhimin e pandemisë

Komisioni për menaxhimin e pandemisë Covid-19, në mbledhjen e mbajtur sot ka intervistuar përgjegjësin e karantinës, Valdet Hashani.

Hashani para komisionit ka thënë se ka filluar punën më 6 prill dhe deri më 31 maj nuk ka pasur asnjë ditë pushim

Ai tutje ka shtuar se stafi menaxherial i qendrës nuk ka qenë staf vendimmarrës. Sipas tij, që nga dita e parë i ka pasur të caktuara detyrat.

“Nuk kam pasur pranim dorëzim të detyrës. Të karantinuarit që kanë hy në pikat kufitare edhe tokësore edhe aeroportit kanë ardhur në karantinë përmes FSK ose kanë ardhur edhe me vetura të veta. Dhe gjithmonë kanë shkuar me asistencë të Policisë. Personat që kanë hy nga pikat kufitare kanë hy prej ekipeve që kanë qenë aty, por ne nuk e kemi fut në karantinë pa një dokument të IKSHPK-së dhe të ekipeve të mjekësisë familjare. IKSHPK-ja e ka pasur një pyetësor ku zakonisht përmes të dhënave, simptomat që i ka manifestuar në ditën e pranimit. Nëse ka pasur simptoma të theksuara është kontrolluar nga ekipet mjekësore. Ekipet e mjekësisë familjare kanë qenë në shërbim për 24 orë. Asnjë person nuk është karantinuar pa i plotësuar këto. Ne fillimisht i kemi pyetur nëse ka ndonjë dëshmi që është me probleme shëndetësore”, ka thënë ai.