Mospagesa e mbi 1.200 profesionistëve shëndetësorë të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë për menaxhim të pandemisë COVID-19, është ngritur si shqetësim edhe në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, të martën.
Anëtarët e këtij komisioni kërkuan që të rritet vigjilenca dhe përgatitjet për ballafaqim me linë e majmunit, një sëmundje e cila tashmë ka prekur shumë vende të botës.
Anëtarë të këtij komisioni kërkuan që të ftohet për raportim, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe ai i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Armend Zemaj, nënkryetar i komisionit tha se ka tre muaj që stafi mbështetës është angazhuar për menaxhim të pandemisë, por nuk janë paguar. Për këto çështje, ai kërkoi që të ftohet për raportim ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
“E kam fjalën për mospagesën e 1.200 profesionistëve shëndetësorë të stafit mbështetës që tre muaj edhe në takimet tona fizike e kanë deklaruar që kanë shprehur pakënaqësi dhe kanë shkruar email adresat zyrtare të krerëve që nënkupton edhe tek ju si kryetar i Komisionit. Në kuadër të kësaj po propozoj që në takimin e radhës kurdo që mbahet ta ftojmë ministrinë e Shëndetësisë, ka kohë që nuk është paraqitur para Komisionit mos të them shumë kohë, po ashtu mos të them as në seanca plenare dhe po mendoj se është mundësia e vetme që përmes Komisionit ta ftojmë këtu dhe të shohim për mbarëvajtjen në sektorin e shëndetësisë. Është edhe sëmundja e re që është paraqitur nuk kemi ndonjë komunikim zyrtar të shohim se cilat janë përgatitjet e institucioneve të Kosovës, të mos të kemi ndonjë befasi ashtu siç po dëgjojmë nëpër vendet tjera”, u shpreh Zemaj.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, foli për mospagesat e mjekëve dhe infermierëve për tre muaj, derisa shtoi se Kosova nuk ka mostra për diagnostikimin dhe konfirmimin e lisë së majmunëve.
“1.200 vetë janë qe 3 muaj ditë pa rroga. Pa marr parasysh që incidenca e lisë së majmunëve është e ulët në gjithë botën, është një incidencë rapide e rritjes, pra do të thotë flasim dje kanë qenë 80 raste të konfirmuara sot në mëngjes janë 200, është rritje mbi qind për qind. Nuk dua të ngriti panik por dua të bëjë një alarmim në atë mënyrë që të përgatitemi për diagnostikim, por mostra nuk kemi për diagnostikim dhe konfirmim është problem”, tha ai.
Mirsad Shkreta, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se në mungesë të një plani nga ana e Bordit të SHSKUK-së, nuk po paguhet stafi shëndetësor i angazhuar në menaxhim të pandemisë.
“Politikat shëndetësore i bënë Bordi, i cili fatkeqësisht është marr vetëm me çështje që nuk i takojnë, nuk është marr me çështje që duhet marrë, prandaj kërkoj një takim urgjent me ministrin sapo të vijë që t’i adresojmë këto çështje. Kjo ka të bëjë me planet e bordit dhe strategjinë e ministrisë dhe pikërisht këtë kemi kërkuar ne, nuk kemi kërkuar le të shkon drejtor i Kardiologjisë apo Kardiokirurgjisë ky person kemi kërkuar cili është plani juaj nuk kemi plan ja tash dy muaj stafi shëndetësor pa pagesë sepse nuk ka plan”, theksoi Shkreta.
Haxhi Avdyli, po ashtu deputet i VV-së, kërkoi që të ftohet për raportim para Komisionit për Shëndetësi edhe ministri i Financave, Hekuran Murati dhe të jap më shumë informacione për Ligjin e Pagave.
Ai ngriti si shqetësim grevën që po e mbajnë kardiologët invazivë, të cilët nuk po pajtohen që t’i bashkohen Klinikës së Kardiologjisë, derisa lista e pritjes së pacientëve është e gjatë. E për të raportuar për këtë situatë, sipas tij duhet të ftohet për raportim edhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Kransiqi. /Ksp