Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Ish-drejtori i SHSKUK-së: Shëndetësia para një krize të mungesës së stafit

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është kritikuar nga deputetë të opozitës për mospjesëmarrjen e tij në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Në mbledhjen e së martës të Komisionit është diskutuar mbi raportin e auditimit për pasqyrat financiare të SHSKUK-së, përderisa nuk kanë munguar as qëndrimet e anëtarëve opozitarë në mbështetje të rrëzimit të qeverisë Kurti, ndërsa është përmendur edhe mungesa e stafit shëndetësor

Rrëzimi i Qeverisë Kurti 2 do t’i jepte kënaqësi deputetit nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Hajdar Beqa, i cili gjatë mbledhjes të së martës të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shprehur optimizmin se së shpejti do ta ketë një mundësi të këtillë.

Këtë qëndrim, Beqa e ka shprehur teksa anëtarët e Komisionit kanë shqyrtuar raportin e auditorit mbi pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK-së) gjatë vitit 2021. Raporti i auditorit ka evidentuar vonesat, në pagesat e faturave dhe vazhdimin e mandatit të anëtarëve të Bordit në kundërshtim me ligjin, si disa prej shkeljeve përbrenda SHSKUK-së.

“Sot nëse vjen votëbesimi i qeverisë Kurti, bashkë me ministrin Latifi dhe të gjithë vartësit e tij dhe bordin e SHSKUK-së, me kënaqësi do të kisha votuar për shkarkimin e tyre. Sepse konsideroj që janë duke i bërë një dëm vendit... Dhe jam optimist që këtë kënaqësi do ta kem shumë shpejt”, ka thënë Beqa gjatë një debati në Komision, me anëtarët nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

I menjëhershëm ka qenë reagimi kundër i deputetes së LVV-së, Mirlinda Tishukaj- Sadiku.

“Nuk po të vjen hiç se, mos u bo merak, flejë zbath”, ka thënë ajo.

Edhe Kërkohet shkarkimi i ministrit Latifi dhe i Bordit të SHSKUK-së Arbëri Kërkohet shkarkimi i ministrit Latifi dhe i Bordit të SHSKUK-së

Rashit Qalaj, deputet nga radhët e PDK-së, ka prezantuar në mbledhjen e Komisionit shkeljet e përfshira në raportin e Auditorit.

“Mungesë e raporteve të pranimit të mallit të përgatitur nga menaxherët e kontratave, te kontratat me vlerë prej 7 milionë e 864 e 454 eurove. Vonesa nga tetë ditë deri në gjashtë muaj në pagesën e faturave në vlerë prej dy milionë e 448 mijë e 184 eurosh. Dhe vazhdim i kontratës së punës për anëtarin e shtatë të bordit drejtues-drejtorit financiar, ekspertin e ekonomisë në mungesë të konkursit publik”, ka bërë të ditur Qalaj.

Në mbledhjen e së martës të Komisionit ishte paraparë që të raportonte edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili kishte vendosur që në vend të raportimit ta zhvillonte një vizitë në Mitrovicë.

Deputetët e kanë kritikuar ashpër mungesën e Latifit, teksa kanë votuar që raporti i auditimit mbi pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë të dërgohet në seancë të Kuvendit.

Hykmete Bajrami, kryetare e komisionit, ka thënë se Latifit i ishin komunikuar datat alternative për raportim.

“Ndonëse ju kemi dhënë datat alternative, ministri me email e kishte konfirmuar prezencën. Sot ministri ka vendosur që ta vizitoj Spitalin e Mitrovicës e nuk vjen në Komision, e nuk vjen as zëvendësja e tij e parë. Ka thënë se do të vijë zëvendësja e dytë”, ka theksuar Bajrami.

Edhe Kritikohet ministri Latifi për mospjesëmarrje në Komision, raporti i MSH-së shkon në seancë Arbëri Kritikohet ministri Latifi për mospjesëmarrje në Komision, raporti i MSH-së shkon në seancë

E Albana Bytyçi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka vlerësuar se mosprania e ministrit përbën shqetësim.

“Po shihet se nuk ka seriozitet nga ministri dhe po e marr shqetësuese mosprezencën e tij. Ai është dashur të ishte këtu dhe të diskutohet për çështjet, që janë shqetësuese”, ka thënë ajo.

Gjatë diskutimit mbi raportin e auditimit për SHSKUK-në, në mbledhjen e Komisionit të pranishëm ishin drejtori tanimë i dorëhequr i këtij dikasteri, Valbon Krasniqi dhe Enver Gashi, anëtar i bordit.

Krahas shqetësimeve për gjetjet e auditorit, në Komision është dhënë alarmi për ikjen dhe mungesën e stafit shëndetësor. Lidhur me këtë, Krasniqi ka paralajmëruar një krizë serioze.

“Nga viti 2019, qe katër vjet në nivel të SHSKUK-së, numri i të punësuarve nuk është rritur për asnjë punëtor. 7.438 i kemi në sistem në vitin 2019, njësoj në vitin 2020, njësoj më 2021, njësoj në vitin 2022. Madje qarkorja e parë buxhetore për vitin 2023 parasheh numër të njëjtë të stafit në nivel të SHSKUK-së. SHSKUK-ja ndodhet para një krize serioze për sa i përket mungesës së stafit shëndetësor”, ka theksuar Krasniqi, i cili ka kërkuar ndihmën e deputetëve për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e raportuar.

Ish-drejtori i SHSKUK-së, ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë muajve të fundit, katër pediatër nga Klinika e Pediatrisë janë larguar jashtë Kosovës.

Edhe MSH-ja e SHSKUK-ja kritikohen nga deputetët për barna e menaxhim të pandemisë LAJMET E MBRËMJES MSH-ja e SHSKUK-ja kritikohen nga deputetët për barna e menaxhim të pandemisë

“Na duhet urgjentisht që të bëjmë diçka, që punëtorët shëndetësor t’i motivojmë, t’i mbajmë në institucionet tona publike. Kemi spitale të përgjithshme të cilat rrezikojnë mbylljen e reparteve të caktuara në ato spitale. Vetëm në kohën e fundit, nga Klinika e Pediatrisë janë larguar së paku katër pediatër dhe atë jo të sapodiplomuar, por me përvojë pune”, ka shtuar ai.

Në mbledhjen e Komisionit, të pranishëm kanë qenë edhe dy përfaqësues të zyrës së Auditorit të Kosovës, të cilët kanë arsyetuar të gjeturat e tyre në raportin për pasqyrat financiare të SHSKUK-së.