Arbëri

Osmani procedon Amendamentin e Thaçit për mandatin e Speciales te Trendafilova

Foto: Gjykata Speciale

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, që të vlerësojnë amandamentin e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e Speciales.

“Do t’u isha mirënjohëse nëse ky propozim-amendament referohet pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorëve të Specializuar, për vlerësim paraprak se ndryshimi i propozuar nuk zbeh ndonjërën nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës”, shkruan në letër.

Dërgimin e kërkesës e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i kryeparlamentares.

“Kryetarja Osmani duke iu referuar nenit 162, paragrafit 3 të Kushtetutës, ka proceduar Amendamentin e propozuar nga presidenti te Dhoma e Specializuara e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim”, ka thënë Kupina.

Në gusht, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’ua zgjasin mandatin Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Këtë kërkesë e ka bërë në një adresim qytetarëve të Kosovës, duke thënë se beson që deputetët do ta përkrahin këtë iniciativë të tij. Në propozimin e tij, Thaçi ka kërkuar të ndryshohet amandamenti ku thuhej se mandati i institucionit do të zgjasë për pesë vjet, e ka kërkuar që të bëhet se mandati “zgjat deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Image