17:44

I jepet lamtumira e fundit aktorit Adem Mikullovci

Sot në varrezat e qytetit në Prishtinë i është dhënë lamtumira e fundit artistit të paharruar për shumë gjenerata Adem Mikullovci.

Në ceremoninë mortore morën pjesë qytetarë, familjarë, miq, kolegë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

Lumnie Mikullovci nën lot ka treguar momentet e fundit të jetës së bashkëshortit të saj.

“Ka qenë sëmurë vitin e kaluar, por këtë vit ka qenë shumë mirë. Fjalët e fundit ai nuk pati kohë me i thënë, sepse aorta abdominale e bëri të veten dhe kanë qenë dy minuta në pyetje, por para asaj, ai e luajti një shfaqje të tekstit të tij për film. E luajti para meje, fqinjës sime, aq me emocione dhe kur u krye, i thash Adem ti e luajte një shfaqje, na dhe një përjetim shumë emocional. Aktori e ndien, i ka ardhur momenti. Ai ka jetuar me teatër me film, aq ishte jeta e tij. Kanë bërë të pamundurën gjithë stafi mjekësor, ambulancat, familjet, por aq ishte... Bash hiq s’e kam pritur vdekjen e tij mbrëmë, më ka tmerruar. Isha vetëm me të në shtëpi, përnjëherë më ka thënë: Unë s’jam mirë, thirrma ambulancën!” Unë i thash që ke qenë shumë herë sëmurë, mirë je, do të shërohesh, dhe unë e kam kapur dhe e kam mbështetur për kanape. Në ato momente, e pashë që ai nuk është mirë, ia dhashë ndihmën e parë, edhe u fik, u fik, ra perdja përgjithmonë”, tha ajo.

Adem Mikullovci vdiq sot në moshën 81-vjeçare. Përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike.

Gjithashtu ka qenë delegat i Kuvendit, i cili shpalli deklaratën Kushtetuese dhe të Pavarësisë nga viti 1990-1992, si dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar./KSP

09:20

Ngushëllimet për vdekjen e Adem Mikullovcit

Mëngjesin e sotëm vdiq aktori i njohur Adem Mikullovci.

Politikanë, artistë e familjarë kanë ngushëlluar për vdekjen e tij.

“Sot qenka ndarë nga jeta aktori i njohur Adem Mikullovci. Edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai gjithnjë ishte në shërbim të interesit publik dhe vendit tonë. Kontributi i tij në art, kulturë dhe politikë do të kujtohet përgjithmonë. Ngushëllime familjes Mikullovci dhe të gjithë artdashësve, miqve dhe të afërmve të tij!”, ngushëlloi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.


Një telegram ngushëllimi e ka nisur edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

“E nderuar familja Mikullovci, Me pikëllim dhe me mërzi të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, krenarisë tonë artistike, aktorit, skenaristit e regjisorit tonë të madh, bacës Adem. Baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas”, shkruan Dumoshi.

Thotë se Mikullovci do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas, si një rrugë të shtruar fort për brezat që vijnë.

“Numri i roleve dhe veprave artistike e të papërsëritshme të bacës Adem do të mbesin xhevahire të çmuara dhe do të jenë gjurmë të skalitura e të pashlyera në botën e artit e të aktrimit. Me praninë e tij, ai e ka pasuruar dhe e ka bërë madhështore çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që i ka marrë mbi supe t’u japë shpirt. Me korpusin e roleve të tij në teatër, film e televizion, baca Adem ka tejkaluar çdo barrierë dhe pa dyshim ai konsiderohet krenaria dhe një prej ikonave të artit shqiptar. Adem Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, i cili me angazhimin e tij ka qenë edhe frymëzim jo vetëm për kolegët e tij të gjeneratës dhe për aktorët e rinj, por edhe një frymëzim edhe për popullin e Kosovës në kohët më të vështira nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës”, ngushëllon Dumoshi.

Ajo thotë se “Ndarja e bacës Adem nuk është humbje e rëndë dhe e dhimbshme vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës”.

“Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën dhe kontributin e tij të çmuar e të paçmim që ka dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Adem Mikullovcit”, përfundon telegrami i ngushëllimit nga Dumoshi.


Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se “Me pikëllim mora lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur, deputetit të Kuvendit të Kosovës që shpalli Deklaratën e 2 korrikut, mikut tim Adem Mikullovci”.

“Baca Adem përmes artit, arriti të mbaj gjallë ndjenjën kombëtare në rrethana të vështira për shqiptarët. Duke ndarë dhembjen për këtë humbje, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes Lumnijes, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën. U prehtë në paqe!”, shkroi Haradinaj.


Ka ngushëlluar edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

“Sot me dhembje të thellë e mësova lajmin për ikjen nga kjo botë të klasikut të teatrit, mjeshtrit të skenës e ish-deputetit Adem Mikullovci. Skena teatrore humbi njeriun e madh, i cili jetën e tij prej aktori nuk e ndante nga angazhimi qytetar, duke qenë delegat i përbërjes së Deklaratës së 2 Korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut për ta përmbyllur angazhimin e tij politik në mandatin e kaluar si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkroi Osmani në Facebook.

Osmani thotë se guximin e skenës teatrore e manifestoi në cilësinë e delegatit/deputetit, duke u bërë personifikim i njeriut kauza e të cilit është interesi qytetar.

“Aktroi për publikun, siç edhe foli për mbrojtjen e interesit të tij! Një takim përgjatë kësaj jave, ashtu siç ishim dakorduar, na mbeti peng Adem Mikullovci. Për pak nuk e bëmë përshëndetjen e fundit, sepse ti e mbylle perden! Sot, vendi mbeti pa aktorin e politikanin e shquar, mbeti pa një zë kritik, i cili iku me dëshirën për një Kosovë më të mirë. Mjeshtër, një është e sigurt; që ti do të mbetesh shenjë e kohës dhe që ne nuk do të pushojmë së punuari që këtë vend ta bëjmë siç deshte ti! Sipari i Teatrit për TY u mbyll për prezencën fizike, porse jo për veprat që le pas! Familjes e komunitetit artistik, ngushëllime! Prehu në paqe Adem Mikullovci!”, përfundoi Osmani.


Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje, parti në të cilën ishte edhe Mikullovci, shkroi se ai ishte një kolos i artit.

“Na paska lënë edhe një njeri i dashur”, shkruan ai.

“Kolos i artit, gjithmonë i qeshur e që shpërndante qeshje, por edhe shumë serioz e i vendosur kur atdheut i është dashur. I prekur nga humbja, e krenar për rrugën e përbashkët. Baca Adem, prehu i qetë!”, shkroi Sveçla.


Kryeministri Avdullah Hoti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktorit Adem Mikullovci.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se me veprat e tij artistike, ai la trashëgimi për artin dhe kulturën në vend.

“Aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci, na paska lanë e paska ikë nga kjo botë, por vepra e tij asnjëherë nuk do të na lërë. Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë”, ka shkruar ai.

Hoti ka thënë se ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri.

“Përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq. Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës. Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit të artistëve”, ka thënë ai.


Teatri Kombëtar i Kosovës ka ngushëlluar për vdekjen e aktorit Adem Mikullovci. Përmes një letre ngushëllimi thuhet se Mikullovci u nda nga kjo jetë për të lënë pas vetes vepra të shumta dhe të qëndrueshme artistike, në teatër, film dhe në televizion.

TKK-ja thotë se krijimtaria e tij artistike do të mbetet adresë e përhershme dhe e pa kapërcyer për komunitetin artistik, por jo vetëm.

“Aureola e tij prej aktori dhe regjisori do të ngelet thesar kulturor për Teatrin Kombëtar në veçanti, për filmin dhe për kulturën kosovare në përgjithësi. Ai tashmë ka fituar respektin e të gjithëve. Ishte njëri nga artistët më të vyeshëm dhe më në zë i përmasave popullore. Ishte i dashur, i këndshëm, çelës edukativ për breza të rinj, mbase, ishte model rrënjësor për lidhjen, komunikimin dhe thjeshtësinë e tij në relacion me bashkëpunëtorët dhe shikuesit”, thuhet në njoftim.

Sipas Teatrit, Mikullovci shquhej për mënyrën e tij kreative në punë, për humorin dhe afërsinë të cilën e manifestonte në secilën rrethanë, kështu, ia arriti që kultin e tij prej aktori ta shndërroj në figurë ikonike.

“Mikullovci në kohën e okupimit të Kosovës, vitet e ’90 -ta, me vigjilencën e tij prej një artisti të vyer, e gjeti mënyrën e të vepruarit, duke punuar si autor dhe regjisor i projeksioneve të shumta televizive, me karakter tradicional, kanunor, komik, popullor, me të cilat, arriti rekord shikueshmërie, njëherësh, e fitoj epitetin e aktorit të adhuruar nga të gjitha moshat, këtu dhe në mërgatën shqiptare para dhe pas luftës. Teatri Kombëtar i Kosovës përkatësisht brezi i tij dhe brezat tjerë në vijimësi, sot e për mot, do ta kujtojnë me respekt të veçantë veprën dhe artin e tij, e cila mbetet fjalëkalim për dritaret kulturo-artistike”, thuhet tutje në letrën e ngushëllimit.