Arbëri

Kuvendi nis të hënën sesionin vjeshtor, kërkohet që prioritet të jetë rimëkëmbja ekonomike

Kuvendi i Kosovës të hënën do ta nisë sesionin vjeshtor të punës. Ndonëse ka 7 muaj prej kur është konstituuar, deri më tash ka përmbushur vetëm 7 për qind të agjendës legjislative. Kjo, sepse nga Qeveria e Kosovës ende nuk i kanë proceduar në Kuvend edhe 120 projektligjet e parapara për miratim.

Nga gjithsej 18 sa janë proceduar, Kuvendi ka miratuar 10 prej tyre dhe 8 të tjerë janë në procedurë të shqyrtimit.

Bekim Kupina, këshilltar për Media i Kryetares së Kuvendit, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se Kuvendi ka përmbushur 100 për qind të punëve që i kanë ardhur nga Qeveria dhe se mospërmbushja e agjendës legjislative duhet t’i faturohet Ekzekutivit për mosprocedim të projektligjeve.

“Kuvendi i Kosovës nuk ka asnjë ngecje. Ligjet e parapara nuk i ka dërguar Qeveria e Kosovës në Kuvend. Pra, mbi 120 ligje kanë ngecur në Qeveri. Në sesionin pranveror Kuvendi i ka dërguar në seancë 100 % të çështjeve që i kanë kaluar procedurat e brendshme të parapara me rregullore”, ka thënë ai.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka numëruar disa nga projektligjet që sipas saj, duhet të kenë përparësi për procedim, por edhe miratim nga Kuvendi i Kosovës.

“Prej ligjeve që pritet të trajtohen me prioritet në sesionin vjeshtor normalisht janë në pakon e ligjeve që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike. Këtu përfshihen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare financiare, fonde këto që janë pjesë e fondit prej 1.2 miliard eurosh që e ka paraparë qeveria në programin e saj qeverisës, e për të cilat kërkohet konsensus i gjerë politik sepse duhen 2/3 e votave për t’u miratuar”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu gjithashtu thotë se prioritet për Kuvendin në këtë sesion do të duhej të ishin edhe ligjet që rrjedhin nga Agjenda për Reforma Evropiane dhe Marrëveshja për Stabilizim-Asociim, e që kanë afate të caktuara të miratimit, pasi që disa prej tyre kanë qenë në agjendë edhe në legjislaturën e kaluar dhe janë bartur në agjendën e këtij viti.

Gjatë kohës sa Kuvendi ka qenë në pushim, deputetët kanë thirrur disa seanca, prej tyre një është thirrur edhe nga vetë kryeministri Avdullah Hoti për raportim në lidhje me Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.