Arbëri

Numër i lartë i qenve endacakë në Prishtinë, komuna thotë s’mund të përballet e vetme me ta

Në këtë video mund të shihni disa prej lëndimeve që shumë fëmijë i morën nga sulmet e qenve endacakë.

E nga kafshimi i qenve endacakë në Prishtinë dy ditë më parë e pësoi edhe një 12- vjeçar, i cili u sulmua derisa po kthehej në shtëpi, raporton KOHA.

Nëna e tij Vlora Konushevci ka vendosur që me një grup të prindërve dhe familjarëve ta padisin Komunën e Prishtinës.

Numri i qenve endacakë në Prishtinë vazhdon të jetë i lartë, derisa qëndrimi i tyre në tufa, madje edhe në parqe ku ka frekuentim të madh të fëmijëve ka rritur rrezikun e sulmeve.

Komuna e Prishtinës përmes një reagimi dërguar mediave ka thënë se qentë endacakë vazhdojnë të mbesin shqetësim për këtë institucion derisa kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet dhe të zgjidhet në nivel kombëtar.

Komuna thotë se nuk kanë kapacitete të përballet e vetme me këtë sfidë.

Edhe kryetari i ASK-së, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet në nivelin qendror.

Ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, e cila është e ngarkuar me trajtimin e qenve endacakë, nuk ka shifra të sakta se sa është numri i tyre nëpër rrugë.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thotë se çdo ditë po shtohet numri i tyre dhe po bëhen agresivë.

E për të ulur rrezikun nga sulmet e qenve në kryeqytet, ka qytetarë të cilët me vetiniciativë përkujdesen për ushqyerjen dhe shërimin e tyre.

Deri në maj të vitit të ardhshëm AUV planifikoi të sterilizojë, vaksinojë dhe kastrojë rreth 7 mijë qenë endacakë në mbarë vendin, por thonë se për këtë u duhet më shumë buxhet.