16:12

Osmani kërkon që Kuvendi të jetë më i zëshëm për hidrocentralet

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thënë se bashkë me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj, kanë identifikuar disa çështje lidhur me hidrocentralet e ku mund të veprojë Parlamenti.

Pas takimit me Ramosajn, Osmani ka thënë se Parlamenti duhet të jetë më i zëshëm për çështjen e hidrocentraleve.

“I kemi identifikuar disa çështje ku Parlamenti mund të veprojë. Ka të bëjë me disa ligje të cilat do të mund të ndryshonin ndërkohë, natyrisht nëse arrijmë të ndërtojmë një shumicë të nevojshme të deputetëve që mendojnë si ne. Këto çështje janë vërtetë të rëndësishme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Pastaj kemi diskutuar dhe jemi pajtuar edhe për çështje qe kanë të bëjnë me kompetencat e ZRRE-së dhe jemi pajtuar që parlamenti të jetë shumë i zëshëm për tema të tilla”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, Ramosaj ka thënë se temë e diskutimeve ka qenë “padrejtësia që i është servuar Deçanit e që ka ndikuar keq në ambient sepse nuk janë përmbushur një pjesë e normave dhe standardeve ligjore që janë obligim”.

“Shqetësimi im dhe i qytetarëve është qe kur prodhojmë hidroenergji pronari i kësaj duhet t’i ketë parasysh katër fakte: të bëjë revitalizimin e asaj që e ka prishur, të ketë kujdes minimumin ekologjik dhe biologjik të lumit, të ndërtojë projektin ashtu siç e ka të hartuar në letra që ta bëjë liqenin akumulues dhe qytetarëve të Deçanit t’u jepen të drejta që të jenë objekt i përfitimit të hidroenergjisë qoftë duke zbritur çmimin, qoftë duke bërë një pagesë sepse është një pasuri e jona”, ka theksuar Ramosaj.

12:22

Kryeparlamentarja Osmani në Deçan, shkak hidrocentralet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Deçan bashkë me anëtarët e Komisionit parlamentar hetimor për hidrocentralet.

Aktualisht, Osmani është duke zhvilluar takim me kryetarin Bashkim Ramosaj.

Pas takimit, kryeparlamentarja Osmani bashkë me anëtarët e komisionit do të vizitojë hapësirën ku janë të vendosura hidrocentralet, për të diskutuar me aktivistë të shoqërisë civile rreth dëmeve që, sipas tyre, hidrocentralet i kanë shkaktuar natyrës.