Arbëri

UNDP-ja dhuron 2 mijë kuponë për familjet skamnore

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka shpërndarë kuponë për 2000 familje në nevojë në Kosovë. Sipas njoftimit për media, përmes këtyre kuponëve do t’iu mundësohet të blejnë ushqim, produkte higjienike dhe gjëra tjera elementare për të cilat kanë nevojë gjatë këtyre tre muajve të ardhshëm.

UNPD thotë se kjo mbështetje, që zbatohet për herë të parë në Kosovë dhe ndihma realizohet përmes përkrahjes së drejtpërdrejt financiare nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe i dedikohet familjeve me kushte të vështira, kryesisht atyre me vetëm një prind dhe familjeve të tjera në situata të cenueshme.

Në ceremoninë e dorëzimit të kuponëve ishin prezent Skënder Reçica, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Znj. Shkipe Deda-Gjurgjiali, Menaxhere e Portofolit për Zhvillim të Qëndrueshëm në UNDP, Z. Mentor Morina, Drejtor i Departamentit për Politika Sociale dhe të Familjes (DPSF), dhe përfaqësues të MPMS-së, DPSF-së dhe UNDP-së.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, i cili pranoi kuponët që do t'u shpërndahen përfituesve ka falënderuar qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për mbështetjen e familjeve në nevojë.

"Në këtë situatë të vështirë pandemike, të ndihmosh familjet nga grupet e cenueshme përfituese të asistencës sociale, tregon më së miri gjithë angazhimin dhe zotimin tonë si MPMS-së, për të qenë pranë qytetarëve që kanë nevojë për t’ju dhënë një dorë mbështetjeje. Dua të falënderoj dhe shpreh mirënjohje për qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për mbështetjen financiare dhe UNDP-në për zbatimin e skemës për të mbështetur sa më shumë përmbushjen e nevojave të grupeve të cenueshme. Për tre muajt e ardhshëm, këto grupe të shoqërisë do të kenë ndihmë financiare shtesë që do t’ua lehtësojë paksa jetën”, ka thënë ai.

Shkipe Deda-Gjurgjiali nga UNDP theksoi rëndësinë e skemës pilot që po implementohet për herë të parë në Kosovë.

“Situata e njerëzve që jetojnë me ndihmë sociale është përkeqësuar edhe më shumë me pandeminë. Me anë të kësaj skeme ne duam t'u japim këtyre 2.000 familjeve të përzgjedhura mundësinë për të blerë gjërat e domosdoshme që u duhen më shumë dhe që nuk u janë siguruar përmes ndihmave tjera humanitare”, ka thënë ajo.

Natacha Gomes, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në deklaratën e saj theksoi se kontributi i tyre është për të zbutur krizën e thellë nga pandemia.

"Jam krenare që qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut ka dëshmuar përsëri përkushtimin tonë të fuqishëm për të ndihmuar popullin e Kosovës. Përgjatë këtyre muajve të vështirë, ne kemi bashkëpunuar me UNDP-në dhe, tanimë kemi siguruar testet dhe ventilatorët mobil aq të nevojshëm për të ndihmuar në luftimin e pandemisë. Kontributi ynë i fundit, ndihma për 2.000 familje në nevojë tregon se ne po bëjmë çmos për të zbutur krizën e thellë nga pandemia dhe për të adresuar aspektin humanitar të krizës. Dua të falënderoj UNDP-në për prezantimin e skemës së kuponëve dhe për partneritet shumë të suksesshëm. Edhe një herë, unë do të doja t'u dërgoja një mesazh të gjithëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin masat parandaluese në vend, e sigurt se ne do ta tejkalojmë këtë sfidë".

Siç njoftohet kuponët do të ndahen për tri kategori:

Familjet me 1-4 anëtarë do të pajisen me 180 euro për 3 muaj (60x3)

Familjet me 5-7 anëtarë do të pajisen me 210 euro për 3 muaj (70x3)

Familjet me 8 anëtarë do të pajisen me 240 euro për 3 muaj (80x3).

Ky donacion u sigurua si pjesë e përgjigjes së menjëhershme ndaj COVID-19 në kuadër të Projektit, Zbutja e Ndikimit Të Krizës Humanitare dhe në Shëndet si dhe Mbrojtja Themelore Sociale për Grupet më të Cenueshme, të financuar nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, përmes LuxDev, në një shumë të përgjithshme prej 1 milion EURO.

“Aktualisht, rreth 25,000 familje me rreth 100,000 anëtarë përfitojnë nga Skema e Ndihmës Sociale. Ky numër ndryshon ndër vite, megjithatë, pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, numri është rritur duke marrë parasysh që një numër i konsiderueshëm i njerëzve kanë mbetur pa punë”, thuhet tutje në njoftim.