Arbëri

Bill Clinton sot mbushi 74-vjet

William Jefferson Clinton, i njohur si Bill Clinton, u lind më 19 gusht në vitin 1946 në Arkansas të Amerikës. Pikërisht sot, njeriu që shërbeu si president i SHBA-së, feston ditëlindjen e tij të 74-të.

Clinton ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë nga viti 1993 deri në vitin 2001 si president i 42-të. Më parë, ai shërbeu edhe si guvernator i Arkansas-it dhe si Prokuror i përgjithshëm i këtij shteti.

Gjatë mandatit të tij si president i shtetit më të fortë në botë, ai ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-s në luftën e Kosovës në vitin 1999.

Përkundër vështirësive në familje, me babanë që s’e takoi asnjëherë për shkak se humbi jetën tre muaj para se të lindte dhe me njerkun alkoolist, Bill arriti të shkollohej për drejtësi dhe të ndiqte pasionet e tij.

Pas martesës me Hillary Rodham, Bill Clinton u zgjodh guvernator i Arkansas në vitin 1978, duke u bërë kështu guvernatori më i ri në vend, në moshën 32-vjeçare. Ai u rizgjodh në të njëjtën pozitë më 1982.

Clinton i fitoi zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor të vitit 1992 me 43 për qind të votave kundër republikanit George Bush dhe miliarderit Ross Perot.

Më 5 nëntor të vitit 1996, Clinton rizgjidhet president i Amerikës edhe për një mandat 4-vjeçar. Pikërisht gjatë mandatit të tij dha kontributin e tij të çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Clinton ka qenë disa herë në Kosovë dhe është nderuar me “Medaljen e Artë të Lirisë”.

Me rastin e ditëlindjes së Bill Clinton, shoqata “Miqtë e Amerikës”, do të organizojë një ceremoni të festimit, duke filluar nga ora 11:00, në zyrat e kësaj të fundit, me një numër të kufizuar të ftuarish për shkak të masave anti-COVID.