Arbëri

Weller: Kisha Serbe ka brengë legjitime për Manastirin e Deçanit

Nora Weller, antropologe që ligjëron në Universitetin e Cambridget, ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe me të drejtë ka shprehur brengën për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, në zonën afër Manastirit të Deçanit.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Weller ka thënë se ky objekt gjendet në listën e UNESCO-s, si trashëgimi botërore që konsiderohet e rrezikuar. Sipas saj, brenga e shprehur nga Kisha Ortodokse Serbe duhet të merret me shumë seriozitet nga autoritetet e Kosovës. Pikërisht një brengë e tillë e shfaqur ditë më parë, ndikoi që të pezullohen shkurt punimet në rrugën afër zonës së mbrojtur.

“Ky zhvillim nuk duhet të jetë vetëm mes autoriteteve lokale dhe atyre të kishës, por për shkak të situatës në të cilën gjendet Kosova ndërkombëtarisht është në nivelin më të ngritur politik do të thosha unë. Sikur që është bërë e qartë edhe përmes intervenimit të ambasadorëve të ndryshëm në Kosovë, Kisha në këtë rast, ka brengë legjitime, dhe brenga e tyre duhet të merret parasysh sepse Manastiri i Deçanit është në listën e trashëgimisë botërore që konsiderohet e rrezikuar brenda për brenda UNESCO-s, dhe pikërisht disa prej faktorëve që e bëjnë këtë objekt në këtë listë me rrezik janë intervenimet e tilla si ndërtimi i rrugës që po ndodh tani. Mendoj se në këtë rast, Kisha ka brengë legjitime dhe duhet të merret me shumë seriozitet nga autoritetet e Kosovës”, ka thënë ajo.

Weller tutje ka thënë se autoritetet e Kosovës “s’duhet të presin reagimin e ndërkombëtarëve, por duhet të ndërpresin vetë ndërtimin e kësaj rruge”.

Sipas saj, kjo sepse “Kosova e ka pranuar Pakon e Ahtisarit, në të cilën aneksi 5 mbron interesin e Kishës Ortodokse Serbe dhe zonave të tjera që kanë objekte të rëndësishme për komunitetin serb, objektet kulturore dhe fetare dhe se pikërisht Plani i Ahtisaarit është pjesë e Kushtetutës së Kosovës”.

“Për këtë arsye, Kosova duhet ta mbrojë Kishën Ortodokse Serbe, sipas vendimeve që i ka pranuar më 2006 e tutje dhe s’duhet të presë që ndërkombëtarët të ndërhyjnë që një rrugë e tillë të ndalohet së ndërtuari, por t’i marrë vetë masat që të dëshmojë se është shtet që implementon legjislacionin që e ka pranuar vetë. Për më shumë, Kosova është shtet me kushtetutë, multietnik, dhe i mbron të drejtat e nacionaliteteve në Kosovë, në këtë rast të komunitetit serb, edhe me legjislacionin e lirive fetare, edhe me Pakon e Ahtisaarit edhe me legjislacionin që mbulon të drejtat e komuniteteve”, ka vazhduar ajo.