Arbëri

Veliu paralajmëron mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për rastin në Karaçevë

Një javë pas hyrjes së trupave të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka paralajmëruar mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për atë që ka ndodhur në Karaçevë.

“Unë jam duke e kompletuar informacionin në tërësi se çka ka ndodh në Karaçevë jemi në pritje të një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në të cilën do ta diskutojmë situatën e krijuar dhe çka ka ndodhë në Karaçevë. Pas kompletimit të të gjitha informacioneve unë sigurisht do të raportoj në komisionin parlamentar por nëse është nevoja edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Veliu të premten në Pejë, raporton KOHA.

Për shkak të hyrjes para një jave të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur në interpelancë ministrin Veliu, por i cili ka pohuar se akoma nuk ka informacion për ftesë për interpelancë.

“Unë nuk kam informacion që kam ftesë për interpelancë ende. E kam diskutua mundësinë e interpelancës, sepse kam pas një ftesë nga komisioni parlamentar, sikur sot për nesër, ndërsa agjenda ime ka qenë e paracaktuar dhe kam pas një takim shumë të rëndësishëm. Do më thënë, ma kanë bërë një ftesë pa u koordinua me mua dhe ka qenë e pamundshme që unë të jem prezentë në atë komision atë ditë kur ata kanë ftuar, por sigurisht do ta gjejmë një ditë të përshtatshme që unë do të shkoj në komision dhe do të raportoj”, tha Veliu.

Një ditë pasi kishin hyrë forcat e Xhandarmërisë Serbe në fshatin Karaçevë, ministri Veliu ishte takuar me komandantin e KFOR-it, Michele Risi, në të cilin takim siç tha Veliu kishte kërkuar që patrullimet e njëjta të sinkronizuara dhe të tjera sikurse bëhen me forcat serbe, të bëhen edhe me Policinë e Kosovës.

“Komandanti i KFOR-it e ka pranuar me kënaqësi kërkesën time, dhe ka mbet me diskutu me drejtorin e Policisë për detajet e veprimit, sepse ato janë çështje operative që kërkohet profesionalizëm dhe sigurisht në takimin e përbashkët ata do ti detajizojnë mënyrën se si do të bëhet kjo punë”, ka deklaruar Veliu pas një takim me kryetarin e Pejës Gazmend Muhaxheri dhe pjesëmarrjes së ti në takimin e shtabit emergjent të kësaj komune.

Ministri i Punëve të Brendshme, të premten ka vizituar Pejën në kuadër të vizitave që po ua bënë komunave për tu njohtë nga afër për situatën e krijuar me pandeminë.

“Në takim e informuam ministrin për gjendjen në komunën e Pejës dhe për ballafaqimin që e kemi me Covid-19, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen në mes komunës së Pejës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë kreu i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Në këto takime Ministri Veliu është shprehur i kënaqur me angazhimin e institucioneve lokale dhe mbështetjen që po e bënë policia e Kosovës për zbatimin e masave kundër pandemisë.

“Unë u informova drejtpërdrejtë nga kryetari dhe shtabi komunal për situatën aktuale për sa i takon pandemisë dhe menaxhimin e tyre dhe zbatimin e masave. Jam i kënaqur me angazhimin e institucioneve lokale dhe mbështetjen që po e bënë policia, inspektoratet e ndryshme komunale, për sa i takon zbatimit të masave”, tha Veliu.

Për situatën aktuale të pandemisë, Qeveria e Kosovës, siç tha Veliu ka sjellë vendim për ngritjen e planit të veprimit kombëtar.

“Grupi për menaxhimin e incidenteve është mbledh dhe ka marr disa vendime ndër të cilat është edhe mobilizimi i gjitha shtabeve komunale dhe ngritja e nivelit të tyre. Është fati i mirë që komunat në fillim të pandemisë kanë themeluar shtabet e tyre dhe po menaxhojnë mirë me situatën e në përgjithësi”, u shpreh Veliu, para se ai bashkë me Muhaxherin të vizitonte Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, ku janë pritur nga komandanti i kësaj drejtore, kolonel Sami Shabanaj. Policia e Pejës e ka njoftuar ministrin me gjendjen e sigurisë në përgjithësi në zonën e përgjegjësisë që e mbulon Policia e Kosovës në këtë rajon dhe për angazhimet policore për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së Covid-19.