09:35

Thaçi mirëpret ftesën e SHBA-së për takimin me Serbinë

Pa treguar se a do ta përfaqësojë Kosovën, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se mirëpret ftesën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë Kosovës dhe Serbisë për takim në Uashington më 2 shtator.

“Mirëpres takimin në Shtëpinë e Bardhë për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi falënderues për dedikimin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka shkruar ai në Twitter.

Kosova e Serbia ishte paraparë të takoheshin në fund të qershorit në SHBA, por ai takim ishte anuluar pasi ndaj Thaçit ishte ngritur aktakuzë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale.

08:17

Hoti konfirmon takimin në Uashington dhe temën – ekonomia

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar takimin e 2 shtatorit me Serbinë në Uashington, me ftesë të emisarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai ka konfirmuar se temë e diskutimit do të jetë ekonomia.

“SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, ka shkruar ai në Facebook.

Grenelli në mëngjesin e së premtes publikoi lajmin për takimin Kosovë-Serbi në Uashington. Takimi vjen pas dështimit të atij të 27 qershorit, që ishte anuluar pas ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale. Edhe ai takim ishte thënë se do të jetë për çështje ekonomike.