10:57

Projektligji për vlerat e UÇK-së nuk kalon në lexim të parë

Kuvendi i Kosovës nuk e ka votuar në parim Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.

Kësisoj, projektligji kthehet prapa për votim në ndonjë rast tjetër.

Në sallë ishin 68 deputetë, por vetëm 36 morën pjesë. 35 votuan për dhe një kundër. Abstenime nuk pati.

Ky projektligj ka hasur në kritika të mëdha nga faktori ndërkombëtar, ndërkohë që ka ndarë edhe skenën politike në vend.

07:57

Shqyrtimi i projektligjit të kritikuar nga ndërkombëtaret dhe që po e ndan politikën në vend

Deputetë të Kuvendit të Kosovës sot do të shqyrtojnë në lexim të parë Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky projektligj ka hasur në kritika të mëdha të faktorit ndërkombëtar, meqë sipas tyre kufizon lirinë e shprehjes, ndërkohë që edhe parti në vend e kanë kundërshtuar.

Seanca e ndërprerë javën e shkuar do të vazhdojë sot në orën 10.00.

Të mërkurën, kreu i partisë që qeverisë me vendin LDK, Isa Mustafa, ftoi PDK-në ta tërheq projektligjin, me arsyetimin se “ka shumë vërejtje e pasaktësi”.

Më herët, edhe partia më e madhe në vend, VV-ja ka thënë se “ka hile” nga ata që e kanë sponorizuar.

Në rendin e ditës së seancës së sotme do të jetë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e fakulteteve juridike të Kosovës, zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe zgjedhja e shtatë anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe propozim-vendimin për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Pikë e rendit të ditës do të jetë edhe shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij komisioni dhe propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.