Mosuniteti i koalicionit qeverisës është shfaqur edhe përmes reagimit ndaj rastit të hyrjes së xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës të premten.
Pak ditë pasi kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, akuzoi partnerin kryesor, LDK-në për mospërfillje në procesin e dialogut, është shfaqur një tjetër “lëkundje” mes raporteve të partnerëve në qeveri. Haradinaj ka vizituar të shtunën Karaçevën, një ditë pasi aty u panë forcat serbe, dhe përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët dhe të mos lejojnë më “provokime të tilla”.
Ndërkaq, kryeministri Avdullah Hoti, që vjen nga radhët e LDK-së, i është përgjigjur shpejt Haradinajt duke thënë se “siguria e Kosovës s’mund të rrezikohet nga askush e se s’ka nevojë për defilime në vendngjarje, pa pasur idenë se si ka ndodhur ngjarja”.