Si rrallëherë, partitë politike janë unifikuar në përkrahje të projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid – 19, të propozuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Ky projektligj kaloi në shqyrtim të parë me 77 vota për dhe një kundër, teksa fillimisht ishte mbështetur nga LVV-ja, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, theksoi se ky projektligj, i cili deri më tash ka mbetur peng i politikave ditore, ka për qëllim parësor mbrojtjen e shëndetit publik, raporton KOHA.
Madje, sipas Osmanit, me këtë ligj është paraparë të ndëshkohen të gjithë ata persona, që mohojnë ekzistencën e virusit si dhe ata të cilët nuk i respektojnë masat e vendosura nga Qeveria.
Në këtë projektligj të propozuar nga një grup prej 6 deputetësh ka vetëm tetë nene, ku thuhet se 'ligji ka për qëllim të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet, me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë'.
Ndërkohë, gjatë seancës, LDK-ja propozoi shmangie nga të gjitha afatet procedurale, me qëllim që të shqyrtohet në dy leximet projektligji për rimëkëmbjen ekonomike. Mirëpo, një nismë e tillë nuk mori përkrahjen e nevojshme. E seanca nuk kaloi pa përplasje mes pozitës e opozitës.
Kësaj here, arsye për grindje u bë pezullimi i udhëzimit administrativ për unifikimin e çmimit të barnave. Ish-ministri i Shëndetësisë nga PDK-ja, Uran Ismaili, tha se ministri aktual, Armend Zemaj, po nxit rrjetet kriminale.
E për këtë reagoi Zemaj, i cili u kërkoi deputetëve që të reflektojnë dhe të mos e politizojnë situatën me pandeminë.
Kritika për ekzekutivin pati edhe Lëvizja Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar, Rexhep Selimi, theksoi se prej kur Qeveria Hoti është në detyrë Kosova po shënon rekorde të zeza sa u përket të infektuarve me COVID-19 dhe të vdekurve.
Në këtë seancë, në mungesë kuorumi nuk kanë arritur të kalojnë rezoluta e Vetëvendosjes dhe ajo e PDK-së lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Përpos tyre, as propozim-rezoluta për Telekomin nuk arriti të sigurojë kuorumin e mjaftueshëm, teksa mbështetje mori vetëm rezoluta për pensionistët kontributdhënës, e cila kaloi me 53 vota.