Gati një muaj prej kur kryeministri Avdullah Hoti paralajmëroi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kjo nuk ka ndodhur, pavarësisht se numri i të vdekurve nga COVID-19 është rritur.
Megjithatë, Qeveria thotë se nuk e ka larguar mundësinë e tillë, derisa rekomandimin për këtë ia ka lënë në dorë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, raporton KOHA.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme është një opsion që nuk është përjashtuar asnjëherë nga kryeministri Hoti dhe Qeveria e Kosovës. Megjithatë, duke marrë parasysh pasojat që do të kishte për ekonominë e vendit, por edhe për sektorët e tjerë, Qeveria ka ndërmarrë një varg veprimesh për parandalimin e përhapjes dhe për menaxhimin e pandemisë COVID 19”, thuhet në një përgjigje të kabinetit të kryeministrit.
Megjithëse që nga java e dytë e korrikut kanë vdekur mbi 160 persona të infektuar, Zyra e Kryeministrit thotë se prioritete të Ekzekutivit gjatë kësaj kohe ishin ruajtja e jetës së qytetarëve dhe rimëkëmbja ekonomike.
Në anën tjetër, Asociacioni i Komunave vazhdon të mbështesë një masë të tillë eventuale, pasi kështu, sipas tij, do të ndihmoheshin komunat në realizimin më të shpejtë të projekteve që kanë ngecur.
Mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nuk është përmendur në takimin e fundit ndërmjet kryeministrit dhe kryetarëve të komunave më 27 korrik.
Kurse njohësit e fushës së sigurisë kërkojnë që masat e ardhshme kufizuese të vendosen përmes gjendjes së jashtëzakonshme.
Në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë ushtron funksione ekzekutive, e i cili drejtohet nga presidenti.
Në një gjendje të tillë, sipas Kushtetutës, presidenti pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të ofruar ndihmë.