Arbëri

Gastronomët protestojnë nesër: Shpenzime të njëjta ndërsa qarkullimi ditor ka rënë 80%

Për të ngritur zërin dhe kërkesat e tyre që i vlerësojnë si legjitime dhe të arsyeshme, gastronomët e Kosovës, nesër do të organizojnë aksion simbolik dhe mbyllje një orëshe të lokaleve duke i dorëzuar simbolikisht çelësat te Qeveria dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës.

Sipas tyre, qarkullimi ditor ka rënë me 80% ndërsa puna më e madhe gjatë verës është në orët e mbrëmjes, kohë duhet të mbyllin lokalet për shkak të vendimeve qeveritare.

Më shumë se protestë, gastronomët e quajnë si aksion simbolik, ku do të paraqesin tetë kërkesat e tyre e që janë: Riprogramim të kësteve të kredisë, lehtësira për qasje në mjete financiare, përkrahje për paga dhe qira edhe për së paku tre muaj, ulje të TVSH-së në 8% përkohësisht, zgjatje të orarit të punës, shtyrje për deklarim të pagesave të tatimeve për së paku edhe tre muaj, mbështetje në shpenzimet e rrymës, ujit dhe mbeturinave, si dhe mbështetje në kompensim të mallit të dëmtuar.

Këtij aksioni do t’i bashkëngjiten edhe gastronomët e Gjakovës, të cilët sikurse të gjithë kolegët e tyre në mbarë vendin, thonë se janë dëmtuar shumë gjatë pandemisë dhe nga masat e reja qeveritare.

Përfaqësuesi i gastronomëve të Gjakovës, Epikad Hoxha, thotë për KosovaPress se situata është në atë nivel ku nuk mban më, prandaj duhet urgjentisht që të ketë reflektim nga ana e autoriteteve shtetërore.

“Është si simbolikë, duke marrë parasysh këto masa që janë marrë ndaj nesh, mendojmë qe i ka ardhur fundi dhe ne si gastronomë të Gjakovës iu kemi bashkëngjitë gastronomëve të tjerë të Kosovës, që do të marrin pjesë të hënën në protestë në Prishtinë. Do të jetë një protestë simbolike ku do t’i dorëzojmë çelësat e lokaleve si shenjë proteste. Arsyeja e kësaj simbolike që kemi ndërmarrë është që përveç të na lejojnë të punojmë edhe pas orës 21:00, d.m.th. deri në ora 00:00, por edhe ora 01:00, por të kemi lehtësira në qasje në mjete financiare, te kemi edhe riprogramim të kësteve të kredisë, të kemi lehtësira edhe në taksa të ndryshme si të tarasave, të tatimeve etj”, ka thënë Hoxha.

Aksioni simbolik i gastronomëve të Kosovës para Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës do të fillojë prej orës 12:00 ndërsa lokalet do të qëndrojnë të mbyllura rreth një orë në të gjithë Kosovën.